“Erdogani mund të mos mbajë anën e NATO-s në rast lufte me Rusinë”

Turqia mund të mos rreshtohet në anën e Aleancës së Atlantikut të Veriut në rast të një lufte midis NATO-s dhe Rusisë. Kolumnisti Doug Bandow ndau këtë mendim në një shkrim të tij në The American Conservative.

“Marrëdhëniet e ngushta mes Turqisë dhe Rusisë janë të një rëndësie të madhe. Ankaraja po blen armë ruse, po pengon operacionet detare të aleatëve të NATO-s në Detin e Zi dhe po i reziston sanksioneve kundër Moskës. Kush nga anëtarët e aleancës mund të jetë i sigurt se Erdogani mund të mbështetet nëse Aleanca hyn në luftë me Rusinë?”, pyet autori.

Sipas tij, Uashingtoni duhet të fillojë të dyshojë në besnikërinë e presidentit turk Rexhep Tajip Erdogan, pasi ai shpesh ndjek një politikë të jashtme armiqësore ndaj Perëndimit.

Bandow thekson se Turqia filloi të largohej nga Perëndimi kur Erdogan erdhi në pushtet në vend. Autori vuri në dukje se në mesin e popullsisë së vendit, pak njerëz mbështesin kursin e afrimit me Shtetet e Bashkuara. Sipas tij, vetëm 20 për qind e pjesëmarrësve të anketës raportuan një qëndrim të favorshëm ndaj Uashingtonit në vitin 2019, dhe në vitin 2021, gjashtë nga dhjetë të anketuar i quajtën Shtetet e Bashkuara të Amerikës një kërcënim për vendin e tyre.