Makinat luksoze të milionerëve të Foltores, mbështetësit e aksionit të Berishës me nga 2-3 makina të shtrenjta. Flamur Noka makinë 40 mijë euro dhe kredi si i pastrehë! Albana Vokshi lëviz me ‘Land Rover’ 47 mijë €. I dyshimtë edhe burimi parave me të cilat është blerë makina e Berishës.
Sali Berisha do të mbajë nesër ‘Foltoren e Madhe’ në ‘Air Albania’, arenën e madhe të shqiptarëve, duke finalizuar aksionin për rrëzimin e Lulzim Bashës dhe si kulmim i reagimit ndaj goditjes që mori nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, me shpalljen non grata në 19 maj 2021 si i korruptuar, shantazhues dhe minues i demokracisë. Aksioni i Sali Berishës është karakterizuar nga një sagë me gënjeshtra të ripërsëritura dhe sidomos nga misteri i burimit të parave për mbulimin e 27 foltoreve, eskortës, truprojave, karburantin, fushatës publicitare, avokatit francez etj.
‘Foltores’ i janë bashkuar kryesisht ish-ministra dhe ish-drejtorë të qeverisë Berisha me dosje dhe rekorde abuzimesh, ish-klientë dhe përfitues të pushtetit të tij, personazhe që u ndalohet hyrja në SHBA, biznesmenë kontroversë dhe një rreth nostalgjikësh pensionistë. Aksioni politik i Berishës kundër SHBA, ‘birit të tij’ politik dhe reformës në drejtësi është karakterizuar gjithashtu nga ekspozimi i luksit, përmes makinave luksoze që kanë shoqëruar Sali Berishën.
Shqiptarja.com sjell sot në vëmendje vlerën e deklaruar të vetëm disa prej makinave, në pronësi të personazheve që janë rreshtuar me ‘Foltoren’. Deputeti Flamur Noka, një nga mbështetësit kryesor të ‘Foltores’ lëviz me një makinë tip ‘BMW’ me vlerë 40 mijë euro, ndonëse ka përfituar një kredi të butë nga shteti si i pastrehë.
Deputetja Albana Vokshi, e rreshtuar në krah të ‘Foltores’, lëviz me një makinë tip ‘Land Rover’ me vlerë të deklaruar 47 mijë euro. Vetë Sali Berisha lëviz me një Benz luksoz, S 500, prodhim i vitit 2012 me të gjitha opsionet, benzinë, me targë AA932HV, me vlerë 111 milionë lekë. Këtë makinë Berisha pretendon se ia ka blerë Partia Demokratike në vjeshtën e vitit 2013, pasi doli në opozitë. Edhe pse kanë kaluar 8 vite, ende nuk dihet burimi i parave me të cilat është blerë makina për Berishën.
Ndërkaq, i biri, Shkëlzen Berisha, ka deklaruar dy makina 85 mijë euro dhe 18 mijë euro. Ndërsa Argita ka deklaruar disa makina, një prej të cilave 58 mijë USD. Genc Pollo dhe Edi Paloka, dy mbështetës gjithashtu të zjarrtë të ‘Foltores’, kanë blerë në Gjermani makina me vlerë 29 mijë dhe 25 mijë euro, pa paguar detyrime doganore. Vlera e automjeteve të tyre, pas ardhjes në Shqipëri, është më e lartë.
Deputeti Tritan Shehu, deklaron dy makina ‘BMM X5’ dhe një makinë me ‘BMË X3’ me vlerë dhjetëra mijëra euro. Djali i Fahri Balliut, Klevis Balli, ish deputet i PD-së dhe mbështetës i ‘Foltores’ lëviz gjithashtu me një makinë luksoze, e cila nuk figuron në deklaratat e tij të pasurisë.
Ish-deputeti demokrat, Astrit Veliaj, mbështetës i aksionit të Berishës, ka në pronësi disa makina me vlerë 111 mijë euro, Land Rover 88 mijë euro, Chrysler Vogue 24 mijë euro etj. Rastësi apo jo, ‘ithtarët’ e Foltores rezultojnë me makina luksoze me vlerë deri në 100 mijë euro, shumë të cilën një familje e zakonshme shqiptare, nuk e kursen dot gjatë gjithë jetës.
Makinat e milionerëve të Foltores
Sali Berisha, Benz 111 mijë USD
Flamur Noka, ‘BMW’ 40 mijë euro
Albana Vokshi, ‘Land Rover’ 47 mijë euro
Edmond Spaho, Mitsubishi 23 mijë euro, Opel 11 mijë euro
Shkëlzen Berisha, makinë 85 mijë euro
Argita Berisha, makinë 58 mijë USD
Genc Pollo, makinë 29 mijë
Edi Paloka, makinë 25 mijë
Tritan Shehu, dy makina ‘BMW X5’
Klevis Balli, makinë luksoze e padeklaruar
Belind Këlliçi, BMW 13 mijë euro
Oerd Bylykbashi, Benz 23 mijë euro
Bujar Leskaj, Opel 19 mijë euro, Benz 15 mijë euro, Benz 10 mijë USD
Astrit Veliaj, makinë 111 mijë euro, Land Rover 88 mijë euro