“Fajdexhinjtë” për tetë muaj fituan 7,3 milionë euro

Vetëm gjatë 8 muajve të parë të këtij viti Institucionet Mikrofinanciare në vend duke aplikuar norma astronomike interesi kanë arritur të krijojnë një profit të pastër neto prej hiç më pakë se 7,3 milionë euro.

Institucionet Mikrofinanciare në vend në vazhdimësi kanë aplikuar norma shumë të mëdha interesi e që ato janë konsideruar madje më të larta se sa ato që ofrojnë “fajdexhinjtë”

Në raportin e fundit të Bankës Qendrore të Kosovës thuhet se numri i Institucioneve Mikrofinanciare që operojnë në vendin tonë është 23.

Ditë më parë Front Online ka raportuar se në çmimoren e publikuar në ueb faqen e Agjencisë për Financimin e Kosovës (AFK) thuhet se për 5000 deri në 10000 euro kredi për renovim në afat kthimi prej 2 deri në 36 muaj norma efektive e interesit është 28,72 % deri më 31,29 %.

Po ashtu, sipas çmimores se publikuar normë e tille interesi deri në 31,29 % aplikohet edhe për kredi për nevoja familjare. Gjithashtu për të marrë kredi për biznes në këtë Institucion Mikrofinanciar norma e interesit që këta aplikojnë është 18,39 % deri më 28,07 % .

Por, në anën tjetër përfaqësues Shoqata e Institucioneve Mikrofinanciare mundohen ta mohojnë një gjë të tillë.

Arsim Bruçaj nga Shoqata e Institucioneve Mikrofinanciare të Kosovës thotë se normat e interesit në kreditë e vogla në të gjithë botën janë më të larta së sa normat që aplikojnë bankat. Një gjë e tillë mund të verifikohet me një kërkim apo hulumtim të thjeshtë. “Në IMF-të e Kosovës, duke përjashtuar disa operator të rinj që kanë norma të larta, norma mesatare e aplikuar e interesit është rreth 20-22 %. Kjo informatë lehtësisht mund të verifikohet në raportet e BQK-së. IMF-të në pjesën më të madhe financohen nga huat që i marrin tek Institucionet Financiare Ndërkombëtare me interes prej 5-6%. Për më shumë, administrimi i kredive të vogla ka kosto të mëdha operative kurse 2-3 % është kredi që zakonisht nuk përformon apo humbet. Të gjitha IMF e mëdha janë të asocuara në AMIK janë certifikuar në standardin më të lartë ndërkombëtar të mbrojtjes së klientit “ka thënë ai.