Sir Elton John po kryeson në top listat britanike, për herë të parë pas 16 vjetësh, falë këngëtares Dua Lipa, shkruan BBC.
Bashkëpunimi mes tyre i titulluar “Cold Heart”, ka arritur të listohet i pari të premten, pasi kishte qëndruar për tri javë në pozitën e dytë.
John për herë të fundit i kishte kryesuar top listat në vitin 2005, kur u bë pjesë e këngës së reperit amerikan 2Pac “Ghetto Gospel”.
Sipas të dhënave zyrtare, kënga “Cold Hearts” ka shënuar 64,000 shitje në tabelë, duke iu falënderuar 5,9 milionë shpërndarjeve.
Kënga “Cold Heart” e vë këngëtaren dhe tekstshkruesen kosovare me famë botërore, Dua Lipa, për herë të tretë në top lista, pas hiteve të saj “New Rules” dhe “One Kiss” që e kanë arritur të njëjtën gjë për javë me radhë.
Ndërkohë, Elton John, muajin e kaluar e ka shtyrë turneun e tij britanik dhe evropian për vitin 2023, për shkak të një lëndimi në kofshë, që i erdhi si pasojë e rrëzimit gjatë verës që shkoi.