Të frymëzuar nga suksesi akademik i shkollave që po aplikojnë rregulla strikte për nxënësit, si shkolla e mesme “Michaela” në veriperëndim të Londrës, disa drejtorë po fusin kontrolle të rrepta mbi sjelljen e nxënësve. Numri i këtyre shkollave në Angli është në rritje, por ka edhe disa që janë duke kundërshtuar disiplinën që ato aplikojnë, duke thënë se kontrolli kaq i hollësishëm i sjelljeve të nxënësve mund të rezultojë në arritje të shkëlqyera akademike, por nuk e nxit të menduarit e pavarur ose kritik
(The New York Times) – Teksa mësuesja fillon numërimin mbrapsht, nxënësit kapin lapsat dhe ulin kokën, duke përfunduar ushtrimin me shpejtësi.
“Tre. Dy. Një”, thotë mësuesja. Nxënësit lëshojnë stilolapsat dhe të gjithë sytë i kthejnë kah mësuesja. Nën politikën e quajtur “Slant” (që nënkupton rri drejt, përkulu përpara, shtro pyetje, tund kokën dhe shiko folësin), nxënësve të moshave 11 dhe 12-vjeçare u ndalohet të shikojnë larg mësuesit.
Kur bie zilja, nxënësit e rreshtuar ecin shpejt dhe pa zhurmë drejt mensës. Atje ata këndojnë njëzëri poemën – “Ozymandias” nga Percy Bysshe Shelley, pastaj hanë për 13 minuta, teksa diskutojnë temën e detyrueshme të drekës se “si t’i mbijetojmë një kërmilli vrasës superinteligjent”.
Skip AdAdvertisement
Në dekadën që nga hapja e shkollës së komunitetit “Michaela” në veriperëndim të Londrës, shkolla e mesme e ulët e financuar nga shteti, por e drejtuar në mënyrë të pavarur, u shfaq si lidere e një lëvizjeje që beson se fëmijët që vijnë nga familje të varfra ose të shtresave të ulëta shoqërore, për të pasur sukses, kanë nevojë për disiplinë, të mësuar përmendsh dhe për mjedise të kontrolluara.
“Si të kenë sukses në jetë ata që vijnë nga familje të varfra? Epo, ata duhet të punojnë më shumë”, ka thënë drejtoresha e shkollës, Katharine Birbalsingh, e cila në zyrën e saj ka një karton të aktorit Russell Crowe nga filmi “Gladiator” me mbishkrimin ‘Mbaj radhën’. Në rrjetet e saj sociale, ajo i referohet vetes si “drejtoresha më e rreptë në Britani”.
“Çfarë duhet të bësh është të shtrëngosh masat”, ka shtuar ajo. “Fëmijët duan disiplinë”.
Ndërsa disa kritikë e quajnë shtypës modelin e Birbalsinghut, shkolla e saj ka shkallën më të lartë të progresit akademik në Angli, sipas matjeve të qeverisë rreth përmirësimit të nxënësve të moshave 11 dhe 16-vjeçare, dhe qasja e saj po bëhet gjithnjë e më e njohur.
“Dënime edhe për shkelje të vogla”
Në një numër tashmë në rritje të shkollave, ditët karakterizohen me rutina strikte dhe dënime edhe për shkelje të vogla, të tilla si harrimi i kutisë së lapsave apo uniforma e parregullt. Korridoret janë të qeta, meqë nxënësve nuk iu lejohet të flasin me bashkëmoshatarët.
Mbështetësit e këtyre politikave në shkolla, duke përfshirë edhe Michael Goven, i cili më herët ka qenë ministër i Arsimit, argumentojnë se qasjet progresive me fëmijën në qendër që ishin të përhapura gjatë viteve ’70 kanë shkaktuar sjellje agresive, të papërshtatshme dhe kanë ulur shkallën e të mësuarit dhe kanë penguar ndryshimin e gjendjes ekonomiko-shoqërore.
Perspektiva e tyre është e lidhur me ideologjinë e politikave konservatore që thekson vendosmërinë individuale, në vend të elementeve strukturore, si formësimi i jetës së njerëzve. Në Britani, politikanët nga Partia Konservatore që është në pushtet qe 14 vjet kanë mbështetur këtë sistem aktual të edukimit, duke huazuar nga teknikat e shkollave publike amerikane dhe edukatorëve që u bënë të njohura në fund të viteve 2000.
Radikalja Suella Braverman, ish-ministre e dy qeverive konservatore, ishte drejtoreshë e shkollës “Michaela”.
Martyn Oliver, shefi ekzekutiv i grupeve të shkollave të njohura për qasjet e rrepta të disiplinës, u emërua kryeinspektor i qeverisë për fushën e arsimit vjeshtën e kaluar.
Birbalsinghu kishte pozitë drejtuese në qeveri në fushën e lëvizjes sociale nga viti 2021 deri në vitin e kaluar, pozitë të cilën e mbajti gjatë udhëheqjes së shkollës “Michaela”.
Tom Bennetti, këshilltar qeveritar për sjelljen në shkollë, ka thënë se ministrat dashamirës të edukimit e kanë ndihmuar këtë “momentum”.
“Ka shumë shkolla që e bëjnë këtë gjë”, ka thënë Bennetti. “Dhe arrijnë rezultate fantastike”.
Qëkur Rowland Spelleri është bërë drejtor i shkollës “Abbey” në jug të Anglisë, ai është përpjekur të ulë numrin e sjelljeve jo të mira dhe ka prezantuar rregullat e frymëzuara nga metodat e “Michaelas”. Ai ka thënë se mjedisi i rregullt është qetësues për nxënësit që kanë kushte financiare të paqëndrueshme në shtëpi.
Nëse një nxënës punon mirë, të tjerët duartrokasin dy herë pasi mësuesi thotë, “Dy duartrokitje pas numërimit: një, dy”.
“Ne mund të festojmë për shumë fëmijë shumë shpejt”, ka thënë Spelleri.
“Mund të dëgjosh një gjilpërë kur bie gjatë rreshtimit të nxënësve”
Mouhssin Ismaili, një udhëheqës tjetër shkolle, i cili ka themeluar një shkollë me performancë të lartë në një zonë të varfër të Londrës, në nëntor të vitit që shkoi ka postuar në rrjetet sociale një foto të korridoreve të shkollës me studentë që ecnin në radhë. “Mund të dëgjosh një gjilpërë kur bie gjatë rreshtimit të nxënësve”, ka shkruar ai.
Vërejtjet shkaktuan një reagim të ashpër, me kritikët që i krahasuan fotografitë me një film fantastiko-shkencor distopian.
Birbalsinghu ka argumentuar se fëmijët e pasur mund të përballojnë të humbasin kohën në shkollë, sepse “prindërit e tyre i dërgojnë nëpër muze dhe galeri të arteve”, ndërsa për fëmijët me familje më të varfra, sipas saj, “e vetmja mënyrë për të njohur historinë romake është nëse je në shkollë duke mësuar”.
Pranimi i sjelljeve jo të mira ose përshtatja e pritshmërive me rrethanat shoqërore të studentëve, ka thënë ajo, “do të thotë se nuk ka ndryshim të gjendjes ekonomiko-shoqërore për asnjërin nga këta fëmijë”.
“Puno shumë, ji i sjellshëm”
Në shkollën e saj, shumë studentë kanë shprehur mirënjohje kur janë pyetur për eksperiencat e tyre, madje edhe kanë lavdëruar dënimet që kanë marrë, duke përsëritur me padurim thëniet e shkollës për vetëpërmirësim. Motoja e shkollës është “puno shumë, ji i sjellshëm”.
Leoni, 13-vjeçar, ka thënë se në fillim nuk donte të shkonte në shkollë, “por tash është falënderues që ka shkuar, sepse nuk do të ishte i zgjuar siç është tani”.
Me rreth 700 nxënës, “Michaela” është më e vogël sesa shkollat mesatare të mesme të ulëta të financuara nga shteti, të cilat sipas të dhënave të qeverisë kanë rreth 1.050 nxënës. “Është aq e famshme sa tërheq rreth 800 vizitorë në vit, shumica prej tyre mësues”, ka thënë Birbalsinghu. Një fletëpalosje e dorëzuar për të ftuarit u kërkon atyre që të mos “tregojnë mosbesim ndaj nxënësve kur thonë se u pëlqen shkolla e tyre”.
Por disa edukatorë kanë shprehur shqetësim për qasjen e këtyre shkollave, duke thënë se kontrolli kaq i hollësishëm i sjelljeve të nxënësve mund të rezultojë në arritje të shkëlqyera akademike, por nuk e nxit të menduarit e pavarur ose kritik. Sipas tyre, dënimet drakoniane për shkelje të vogla mund të sjellin kosto psikologjike.
“Është sikur ata kanë marrë novelën ‘1984’ dhe e kanë lexuar si manual në vend të satirës”, ka thënë Phil Beadle, autor dhe mësues britanik i shkollës së mesme të ulët i vlerësuar me disa çmime.
Për të, koha e lirë dhe diskutimet janë të rëndësishme për zhvillimin e fëmijës sikurse edhe arritjet akademike. Ai shqetësohet se “një mjedis sikur ‘kult’ që kërkon pajtueshmëri të plotë” mund t’i privojë nxënësit nga fëmijëria e tyre.
Shkolla “Michaela” ka bërë bujë në janar, pasi një nxënës mysliman ka çuar çështjen e ndalimit të ritualeve të lutjes në gjyq, duke argumentuar se është diskriminuese. Birbalsinghu ka mbrojtur ndalimin e ritualeve në rrjetet sociale, duke thënë se kjo ishte thelbësore “për një mjedis të suksesshëm mësimor ku fëmijët e të gjitha racave dhe feve mund të lulëzojnë”.
Gjykata e lartë akoma nuk ka lëshuar vendimin e saj për rastin.
Pro dhe kundër shkollave strikte
Përkrahësit e këtij modeli të rreptë dhe disa prindër kanë thënë se fëmijët me nevoja të veçanta arsimore lulëzojnë në mjedise të rrepta, por të tjerët kanë thënë se kanë parë që fëmijët e tyre me vështirësi në të nxënë kanë probleme në këto shkolla.
Sarah Dalton ka dërguar djalin e saj 12-vjeçar me disleksi (çrregullim në të mësuar që përfshin vështirësi në të lexuar v.j.) në një shkollë strikte me rezultate akademike të shkëlqyera. Por frika e tij nga penalizimi për gabime të vogla i kishte krijuar atij stres të padurueshëm dhe ai kishte filluar të tregonte simptoma të depresionit.
“E kishte nga frika se do të ndëshkohej”, ka thënë ajo. “Shëndeti i tij mental u përkeqësua”.
Sipas Dalton, kur ajo e dërgoi në një shkollë tjetër që nuk zbatonte rregulla të ashpra, ai filloi të përmirësohej.
Në Angli, të dhënat qeveritare të vitit të kaluar kanë treguar se dhjetëra shkolla të rrepta ishin duke suspenduar nxënës në një shkallë më të lartë sesa mesatarja shtetërore (Shkolla “Michaela” nuk ishte në mesin e tyre).
Lucie Lakini, drejtoreshë e shkollës së komunitetit “Carr Manor” në Leeds, e cila nuk ndjek modelin “zero tolerancë”, ka thënë se e ka kuptuar që kjo qasje ishte duke u përhapur, kur një numër në rritje i nxënësve janë regjistruar në shkollën e saj pasi që ishin përjashtuar. Shkolla e saj tregon rezultate të larta akademike, por ajo tha se ky nuk ishte synimi i vetëm i edukimit.
“A po flisni për arritje të suksesshme të rezultateve të shkollave, apo jeni duke u përpjekur të krijoni të rritur të suksesshëm?”, ka pyetur ajo. “Ajo është rruga të cilën ju duhet ta zgjidhni”.
Në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, shkollat publike që kishin adoptuar qasje të ngjashme të rrepta, në fillim kanë marrë lëvdata për rezultatet e tyre. Por rritja e kritikave nga disa prindër, mësues dhe studentë në mes të viteve 2010 ka nxitur rishqyrtim në këtë sektor.
Në vitin 2020, “Uncommon Schools”, rrjet amerikan i shkollave publike, bëri të ditur se do të hiqte dorë nga disa prej politikave më të rrepta, duke përfshirë “Slant-in”. Ky rrjet shkollash ka thënë se do të hiqte “fokusin e panevojshëm si kontaktin me sy dhe pozitën e uljes” dhe të vendoste theksim më të madh në ndërtimin e besimit të studentëve dhe angazhimit intelektual.
“Një titan në botën e edukimit ra nga presioni progresiv”, kishte shkruar Birbalsinghu në rrjetet sociale. “E pazakontë se si sapo keni zhgënjyer qindra mijëra fëmijë”.