Bota ortodokse kremton një ndër festat më të rëndësishme të kalendarit të saj, atë të Epifanisë. Besimtarë të shumtë u mblodhën në Stamboll të Turqisë për të shënuar ditën e Ujit të Bekuar, me një ritual të lashtë.
Udhëheqësi shpirtëror i të krishterëve ortodoksë të botës, Patriarku Ekumenik Bartolomeu, hodhi një kryq prej druri në Bosfor, duke nisur garën tradicionale mes notarëve, të cilët nxituan të ishin të parët që të gjenin atë. Këtë vit, për herë të parë pas gjashtë vitesh, një notare konkurroi kundër të tjerëve.
Në Bullgari, burra me veshje tradicionale kërcyen në ujërat e akullta të lumit Tundzha në fshatin Kalofer si pjesë e festimeve për ditën e Ujit të Bekuar. Ata sfiduan temperaturat e ulëta, ndërsa për gjetjen e kryqit, ndihmuan pjesëmarrësin më të ri në frymën e vëllazërisë dhe bashkëpunimit.
Gara për marrjen e kryqit u zhvillua edhe në Pragë të Çekisë, me pjesëmarrësit që u ndihmuan nga temperaturat e mira për të notuar pa shumë probleme në lumin Valtava.
Në traditën ortodokse, Epifania përkujton pagëzimin e Jezu Krishtit nga Gjon Pagëzori në lumin Jordan, ndërsa në katolicizmin romak kjo ditë shënon ardhjen e tre njerëzve të mençur për të parë foshnjën e porsalindur Jezus.
“Në një mënyrë të veçantë, dua t’u uroj një Krishtlindje të lumtur ortodokse vëllezërve dhe motrave të popullit të torturuar ukrainas. Le të japë lindja e Shpëtimtarit lehtësim dhe shpresë dhe të frymëzojë hapa konkretë që më në fund mund të çojnë në përfundimin e luftës dhe të çojë në paqe”, tha Papa.
Epifania e kremtua edhe në Venecia, por në një mënyrë mjaft të veçantë. Gondolierët u veshën si “Befana”, e cila në folklorin italian është një shtrigë e vjetër imagjinare që sjell dhurata për fëmijët dhe ëmbëlsira ose thëngjill nëse nuk janë sjellë mirë. E njohur dhe si “Regatta” gondolierët më të vjetër garuan në Kanalin e Madh, një traditë që daton nga viti 1978.