Historianët në Kosovë nuk pajtohen me cilësimet e ambasadorit gjerman në Prishtinë, Jorn Rohde, i cili duke kundërshtuar restaurimin e shtëpisë së Xhafer Devës në Mitrovicë, e lidhi figurën e tij me krimet që kryen nazistët, gjatë Luftës së Dytë Botërore.
Përmes një reagimi, Rohde e cilësoi Xhafer Devën si “bashkëpunëtor të ngushtë të nazistëve”.
“Mos e shtrembëroni të vërtetën në lidhje me Holokaustin ose krimet e luftës, të kryera nga nazistët dhe bashkëpunëtorët vendas”, shkroi Rohde në Twitter.
Ky reagim dhe të tjera nisën pas njoftimit për fillimin e restaurimit të shtëpisë së tij në Mitrovicë nga Zyra e Bashkimit Evropian në Prishtinë, Programi i Kombeve të Bashkuara për Zhvillim (UNDP) dhe Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit e Kosovës (MKRS).
Për figurën e Xhafer Devës ka interpretime të ndryshme në mesin e studiuesve kosovarë.
Historiani Jusuf Buxhovi thotë se Xhafer Deva nuk mund të lidhet me Holokaustin e viteve 1941-1945, kur nazistët vranë rreth gjashtë milionë hebrenj.
“Nuk mund të lidhet [me Holokaustin]. Mua më ka habitur ajo e ambasadorit gjerman. Xhafer Deva ka qenë vetëm përfaqësues i një shteti të pavarur shqiptar në atë kohë, qeveri e pavarur. Xhafer Deva nuk ka marrë pjesë – sa e dimë ne historikisht – në asnjë aksion, burgosjen apo dënimin e hebrenjve”, thotë Buxhovi për Radion Evropa e Lirë.
Sipas tij, hebrenjtë, si rrallë kund në Evropë në atë periudhë, kanë gjetur mbrojtje te shqiptarët.
Kush ishte Xhafer Deva?
Xhafer Deva ishte politikan shqiptar në periudhën e Luftës së Dytë Botërore, 1939-1945.
Ai u lind në Mitrovicë në vitin 1904 dhe një pjesë të shkollimit e kreu në Greqi, Turqi dhe Austri.
Sipas historianëve, ai ishte i njohur për veprimtarinë e tij nacionaliste dhe ishte antikomunist.
Deva udhëhoqi Lidhjen Shqiptare të Prizrenit deri në përfundim të Luftës së Dytë Botërore, kur, sipas studiueseve, drejtoi rezistencën kundër futjes në Kosovë të trupave partizane jugosllave.
Në vitin 1944, Deva u emërua ministër i Punëve të Brendshme në Qeverinë e Shqipërisë, e cila u formua me mbështetje të Gjermanisë naziste.
Historiani Haxhi Ademi, nga Instituti i Historisë “Ali Hadri” në Prishtinë, thotë se arsye përse Deva mund të ketë bashkëpunuar me nazistët, ka qenë fakti se shqiptarët, sipas tij, nuk i gëzonin të drejtat bazike në periudhën në mes të dy Luftërave Botërore.
Në këtë periudhë, sipas tij, janë vrarë dhjetëra politikanë shqiptarë dhe janë kryer masakra ndaj shqiptarëve.
“Xhafer Deva ka qenë ndër ato personalitete që kanë bashkëpunuar me gjermanët, duke e ditur gjithnjë rrezikun e jashtëm që ne kishim, do të thotë nga serbët dhe sllavët në përgjithësi”, thotë Ademi për Radion Evropa e Lirë.
Pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore, Xhafer Deva ishte larguar nga Kosova për në Austri, pastaj Itali, Egjipt dhe Siri, prej ku kishte zhvilluar aktivitete politike, kryesisht përmes botimit të gazetave.
Në vitin 1956, ai migroi në SHBA, ku jetoi deri në fund të jetës.
Fakti se ai, pas Luftës së Dytë Botërore, kishte migruar për në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, sipas historianit Jusuf Buxhovi, tregon se nuk kishte lidhje me krimet e nazizmit.
“Po qe se Xhafer Deva, në çfarëdo forme, do të lidhej me Holokaust, SHBA-ja nuk do ta pranonte. Ai ka pasur azil në SHBA. Ka jetuar në SHBA dhe ka vdekur në SHBA. SHBA-ja ka qenë shumë e ashpër ndaj atyre që kanë pasur çfarëdo lidhjeje me fashizmin. Kjo tregon se Xhafer Deva ka qenë një politikan pragmatik në rrethanat e kohës”, thotë Buxhovi.
Çfarë thanë BE-ja, UNDP-ja dhe MKRS-ja?
Ka shumë vite qëkur shtëpia e Xhafer Devës ka mbetur një objekt bosh dhe është në rrezik të rrëzimit.
Në të kaluarën, në këtë objekt janë kryer disa faza të restaurimit, kryesisht në përforcimin e konstruksionit. Por, më 1 shkurt, 2022, u njoftua se ka nisur një fazë e re e restaurimit – gjë që nxiti reagime si në mediat sociale, ashtu edhe nga ana e disa zyrtarëve.
Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë, UNDP-ja dhe MKRS-ja thanë përmes një deklarate të përbashkët për media se iniciativa për restaurimin e shtëpisë së Xhafer Devës është në kuadër të atij që njihet si Instrument i Bashkimit Evropian që kontribuon në stabilitet dhe paqe (IcSP).
Sipas këtyre institucioneve, projekti ka për qëllim që të shërbejë në ruajtjen dhe rehabilitimin e trashëgimisë kulturore në Kosovë.
Pas debatit rreth nisjes së restaurimit, ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit i Kosovës, Hajrulla Çeku, tha në një postim në Facebook se restaurimi ka për qëllim t’i shërbejë komunitetit dhe jo rehabilitimin e figurave historike.
“Pas restaurimit, monumenti është planifikuar t’i shërbejë komunitetit dhe, përveç akomodimit të Qendrës Rajonale për Trashëgimi Kulturore në Mitrovicë, do të ketë hapësirë për galeri arti, funksion muzeal dhe ngjarje të tjera kulturore”, shkroi Çeku.
Minsitri Çeku tha se “kundërshtimi i restaurimit, duke u thirrur në narracionin historik, është në kundërshtim me konventat botërore dhe praktikat e përparuara evropiane për mbrojtjen e trashëgimisë kulturore”.
Projekti nxiti reagim në Serbi
Pas njoftimeve se kanë filluar restaurimet e shtëpisë së Xhevat Devës, zëvendëskryeministrja e Serbisë dhe ministrja e Kulturës dhe Informacionit e këtij vendi, Maja Gojkoviq, iu ankua Komisionares evropiane për Inovacion, Kërkim, Kulturë, Arsim dhe Rini, Maria Gabriel, si dhe drejtorit ekzekutiv të Programit të Kombeve të Bashkuara për Zhvillim, Akim Steiner.
Përmes një letre, ajo apeloi që “projekti kontestues” të mos realizohet.
Siç u tha në njoftimin e zyrës së saj, shtëpia e një personaliteti si Xhafer Deva, “i njohur për përgatitjen dhe kryerjen e krimeve kundër serbëve dhe hebrenjve”, nuk duhet ndërtuar.
Ajo tha se projekti për restaurimin e shtëpisë së Xhafër Devës paraqet “ankth të thellë për popullin serb”.
Pas reagimeve të ndryshme, Zyra e BE-së, UNDP-ja dhe MKRS-ja thanë më 4 shkurt, përmes një komunikate për media, se kanë marrë parasysh polemikat që lidhen me të kaluarën e ndërtesës.
Sipas tyre, përmes këtij projekti, është duke u punuar në gjetjen e alternativave më të mira për komunitetin lokal dhe nxitjen e dialogut ndërmjet komuniteteve.
Shtëpia, objekt i mbrojtur
Shtëpia e Xhafer Devës thuhet se është ndërtuar në vitin 1930 nga arkitektë dhe punëtorë austriakë.
Që nga viti 1945 ka qenë në pronësi publike dhe është shfrytëzuar si qendër mjekësore, vendqëndrim për familjet e pastreha, jetimore, ndërsa në një periudhë të caktuar kohore ka shërbyer edhe si ndërtesë komunale.
Sipas MKRS-së, objekti ka stil modern perëndimor-evropian dhe është i pari i këtij lloji në Mitrovicë. Karakterizohet me dekorime të shumta që, sipas MKRS-së, janë tipike për stilin e tij.
Shtëpia është në listën e përkohshme të monumenteve të mbrojtura të trashëgimisë kulturore në Kosovë.
Çfarë parasheh projekti i restaurimit?
Projekti i përbashkët i Zyrës së BE-së, UNDP-së dhe MKRS-ë thuhet se ka për qëllim që, përmes restaurimit, t’i ruajë vlerat unike të këtij objekti.
Projekti do të jetë një bashkëfinancim i këtyre institucioneve në vlerë prej rreth 300 mijë eurosh. Pasi të përfundojë restaurimi, parashihet që objekti të kthehet në shërbim të komuniteteve të ndryshme që jetojnë në Mitrovicë.
Sipas projektit, shtëpia do të shërbejë për qëllim të dyfishtë: kati përdhese do të ofrojë një hapësirë për ngjarje kulturore dhe komunitare, ndërsa kati i parë dhe i dytë do të strehojnë Qendrën Rajonale të Trashëgimisë Kulturore.
Qendra Kulturore, pasi të rinovohet plotësisht, parashihet të shërbejë si një qendër për komunitetet lokale që të bashkohen, të eksplorojnë ide, të promovojnë ndërkulturalizmin, tolerancën dhe bashkëpunimin.
Përkundër reagimeve, historiani Jusuf Buxhovi thotë se objekti në fjalë duhet të restaurohet, sepse “bart në vete vlera të trashëgimisë kulturore”./REL