Në Tiranën e ditëve të sotme, dy djem në të tridhjetat, Agimi dhe Gëzimi, vëllezër binjakë të cilët nuk mund të dëgjojnë, mësojnë se një ditë do të mbeten të verbër.
“A Cup of Coffee and New Shoes On” është filmi që do të çojë këtë vit Shqipërinë në Oscars 2023. Një dramë e frymëzuar nga një histori e vërtetë që regjisori Gentian Koçi e ka sjellë përmes lojës aktoriale të vëllezërve Edgar, Rafael Morais dhe aktores Drita Kabashi.
“Me thënë të drejtën kur kam dëgjuar për këtë sinopsis, sepse frymëzohet nga një histori e vërtetë, jam dashuruar me këtë histori dhe doja ta bëj skenar.”- tha Gentian Koçi, regjisor i filmit
Aktorëve nga Portugalia, të dy binjakë identikë në jetën e vërtetë u është dashur më shumë se 5 vite që të hyjnë në lëkurën e personazheve, duke mësuar njëherazi gjuhën shqipe të shenjave.
“Kur bëhet fjalë për të interpretuar persona që nuk dëgjojnë apo nuk shikojnë është e nevojshme që të vëzhgosh, të qëndrosh me njerëz të tillë. Ne përpos se mësuam gjuhën e shenjave shqip me ANAD, ne vendosëm një maskë që bllokonte shikimin duke ecur, darkuar në Tiranë si të verbër. Dhe ndenjëm mbi dy javë pa folur…”- shprehet Edgar Morais.
“Pastaj pjesa tjetër vjen prej aktrimit. Të jesh pjesë e kinematografisë do të thotë të jesh i aftë të kuptosh, të krijosh dhe të përfaqësosh personazhet”- thekson Rafael Morais.
“Vështirësia më e madhe ka qenë thellësia e emocioneve.” – thotë Drita Kabashi.
Filmi po shfaqet aktualisht në një prej kinemave të kryeqytetit, për të rrugëtuar më pas në Oscars në muajin mars.