Gazeta ‘Financial Times’ raporton se Ukraina dhe Rusia kanë rënë dakord për një plan paraprak paqeje, i cili përfshin një armëpushim dhe tërheqje të trupave ruse nga Kievi. Duke cituar tre burime të sigurta nga grupi negociator, ‘Financial Times’ thekson se plani i paqes hyn në fuqi nëse Kievi deklaron neutralitet dhe pranon kufizime për forcat e armatosura.
“Financial Times” raporton se palët kanë bërë progres në bisedime bazuar mbi këtë plan, ku përfshihet një armëpushim dhe tërheqje e trupave ruse nëse Kievi deklaron neutralitet dhe pranon kufizime për forcat e tij të armatosura. Këtë gjë e konfirmoi edhe ministri i jashtëm rus në një deklaratë për RBC News:
“Negociatat nuk janë të lehta për arsye që i dimë të gjithë tani. Por ka vend për kompromis. Statusi neutral i Ukrainës po diskutohet seriozisht, së bashku me pika të tjera. Kjo është ajo se çfarë palët po negociojnë në këto momente dhe në këndvështrimin tim palët janë më afër se kurrë të pasurit të një dakordësie”, tha Lavrov.
Marrëveshja e propozuar, të cilën palët e diskutuan për herë të parë të hënën, përfshin kushtin që Kievi të heqë dorë nga ambiciet për anëtarësim në NATO si dhe të premtojë se nuk do të ketë bazë ushtarake të huaja dhe të mos marrë mbrojtje në armë nga SHBA, Mbretëria e Bashkuar dhe Turqia. Megjithatë mediet ndërkombëtare thonë se natyra e garancive perëndimore për sigurinë e Ukrainës, dhe pranueshmëria e tyre për Moskën, mund të rezultojë ende si një pengesë e madhe për çdo marrëveshje. Zyrtarët ukrainas nga ana tjetër mbeten skeptikë për faktin nëse Presidenti rus Vladimir Putin është vërtet i përkushtuar në arritjen e paqes, apo Moska thjesht po mundohet të blejë kohë për të rigrupuar forcat e saj dhe për të rifilluar ofensivën e saj.
Mykhailo Podolyak, një këshilltar i lartë i presidentit ukrainas Volodymyr Zelensky, i tha Financial Times se çdo marrëveshje e mundshme mes palëve, do të përfshinte kushtin që “trupat e Federatës Ruse të largoheshin nga territori i Ukrainës”, përkatësisht rajonet jugore përgjatë Detit Azov dhe Detit të Zi, si dhe territori në lindje dhe në veri të Kievit. Dy nga burimet për FT thanë se marrëveshja e supozuar përfshin gjithashtu dispozita për ruajtjen e të drejtave për gjuhën ruse në Ukrainë, ku ajo flitet gjerësisht edhe pse ukrainishtja është e vetmja gjuhë zyrtare.
Rusia e ka cilësuar pushtimin e saj si një përpjekje për të mbrojtur rusishtfolësit në Ukrainë.