Detaje tronditëse dalin në dritë në lidhje me masakrën në Tiranë, ku Dan Hutra vrau motrën e ish-bashkëjetueses, dhe kunatën e saj dhe plagosi Elena Hysën dhe nënën e saj.
Ish-bashkëjetuesja e tij, Elena Hysa në një deklaratë nga shtrati i spitalit për News24, është shprehur se Hutra sapo kishte shkuar në banesën e saj kishte qëlluar motrën dhe kunatën, ndërsa atë e kishte goditur me thikë në faqe.
Ajo tha mes të tjerash se Hutra donte të qëllonte dhe djalin e tyre.
“Ka qenë aty…e kam parë që ka shkrepur armën drejt meje, pastaj në ato momente ka dalë mami para meje, të më mbronte. E kam shtyrë dhe i dola para mamit. Mbaj mend që na ka sharë, llafe të ndryshme dhe na ka gjuajtur me armë. Donte të qëllonte djalin…e kisha në krah djalin. E kam kapur prej krahu dhe e çova nga dhoma tjetër. Ka ikur me vrap. Më qëlloi me thikë sapo ka hyrë brenda, më qëlloi në faqe. ‘Do ju vras të gjithë’ tha ai.”, ka deklaruar Elena.
Si ndodhi masakra më 1 mars?
Dan Hutra plagosi fillimisht 40-vjeçaren Marjana Gurakuqi në zonën e Astirit, pasi ajo nuk pranoi t’i jepte një shumë parash që ai i kërkoi. Më pas, me makinën që kishte marrë me qira, shkoi në Paskuqan, aty ku jetonte familja e ish-partneres së tij Elena Hysa. Hapi zjarr duke vrarë motrën dhe kunatën e saj, Mevlute Hysa dhe Hasime Dafku si dhe plagosi vetë Elenën e nënën e saj, Kujtime. Më pas shkoi në Kamëz, në shtëpinë e Etleva Kurtit, duke e qëlluar edhe këtë të fundit për vdekje.
Arratia e Dan Hutrës mori fund pas 7 orëve kërkime. Ai u arrestua nga policia në zonën e Sharrës ku kishte shkuar për të ekzekutuar një person të katërt, Rrahman Sela, por që nuk e realizoi dot. 40-vjeçari është dënuar më parë për përdhunim, vrasje e dhunë në familje. Në gjyq, ai nuk ka shprehur asnjë lloj pendese për krimet e kryera.