Në media po qarkullon një foto gati e pabesueshme, me ish-ministrin Tahiri në një gosti me Klement Balilin, Safet Bajrin e një tjetër të dënuar.
Nga Drejtoria e Burgjeve është bërë një sqarim lidhur me të, jo duke e përgënjeshtruar, por duke thënë se aty nuk ka patur alkool, siç dhe është pretenduar.
“Këta të burgosur kanë qenë të akomoduar në të njëjtin sektor dhe është e rëndësishme të theksojmë se në këtë IEVP, ushqimi shërbehet gjithmonë në dhomat e të dënuarve, pasi nuk ekziston një ambient i veçantë (menzë kolektive) për ngrënien e ushqimit, por konsumohet vetëm në dhomat e tyre”, thuhet në deklaratë, ku vijohet të thuhet: “Në lidhje me pretendimet për pije alkoolike, është e dukshme që në tavolinë janë shishe me ujë, si dhe gota me pije freskuese. Në asnjë rast nuk ka pasur shkelje, dhe në bazë të rregulloreve, konsumimi i verës apo pijeve alkoolike është i ndaluar në të gjitha IEVP-të në vendin tonë.”
Por paçka këtij sqarimi mbi pijet alkoolike të munguara në tavolinë, është gati i pagëlltitshëm fakti që një ish-ministër Rendi, për vetë akuzën që e çoi pas hekurave, të shkrihet e bëhet njësh me emra famëkëqinj, duke zgjedhur të ruajë statusin e tij prej ish-figure politike e qeverisëse edhe në kushte burgu. Kjo dhe nga fakti se ai, siç duket qartë, ka pozuar me plot dëshirë.
Më e pakta nga kjo, Tahiri kurrë më nuk do mund të bëje karrierë politike, edhe nëse drejtësia e nxjerr një ditë të pafajshëm, për të cilën ai lufton ende.
Një shkrirje e tillë shoqërore në burgje ka ndodhur vetëm mes të dënuarve politikë në komunizëm, për shkak të të njëjtit fat, edhe pse me nivele të ndryshme kulturore e shoqërore. Por dhe atëherë, ai që ishte i dënuar politik, në respekt të vetëvetes nuk përzihej me të dënuar ordinerë.