Pavarësisht sinjaleve që i përçuan zyrtarë serbë për moszbatimin e marrëveshjes së Bashkimit Evropian, diplomatët e dy shteteve që e përpiluan dokumentin e ujdisë shprehën qëndrimin se palët nuk mund t’u shmangen obligimeve. Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë paralajmëroi për pasoja nëse ujdia e Ohrit nuk gjen zbatim. E ai i Francës e përmendi Asociacionin e komunave me shumicë si prioritet që duhet trajtuar në takimin e javës së ardhshme në Bruksel
Zbatim pa vonesë të Marrëveshjes së arritur në Ohër dhe shmangie të retorikës nxitëse që mund t’i rikthejë tensionet në Kosovë kërkuan të premten ambasadorët e dy shteteve përpiluese të dokumentit të ujdisë.
Ambasadori i Francës, Oliver Guerot, dhe ai i Gjermanisë, Jorn Rohde, gjatë një diskutimi të organizuar nga Qendra Mediale në Çagllavicë, shprehën qëndrimet se bazat e asaj që është dakorduar do të vihen qysh në takimin e javës së ardhshme në Bruksel.
Për diplomatin francez, Asociacioni i komunave me shumicë serbe është tema e parë që duhet trajtuar në takimin në nivel kryenegociatorësh. Ai pati edhe një paralajmërim.
“Pavarësisht se nuk u nënshkrua, marrëveshja është obliguese dhe detyruese për Kosovën e Serbinë dhe presim nga dy vendet që t’i zbatojnë ato. Do të ketë pasoja nëse nuk zbatohen dhe nuk përmbushet dinamika e përcaktuar. Presim që të lansohet vendimi për Asociacionin e komunave me shumicë serbe, siç janë dakorduar. Ky është hapi i parë që duhet përmbushur. Tensionet kanë goditur njerëzit e rëndomtë, prandaj është në interesin e tyre që të vazhdojë kjo dinamikë, në mënyrë që marrëveshja të zbatohet. Kjo do t’ua bënte jetën më të lehtë të serbëve në veri”, ka thënë Guerot.
E, Rohde ka thënë se pas takimit të 4 prillit do të kuptohen hollësitë e zbatimit të marrëveshjes.
“Tani është koha e vendimeve të mëdha, tani kemi marrëveshjen dhe duhet të zbatohet ajo. Na duhet vullnet politik për ta zbatuar dhe pas takimit të javës së ardhshme do t’i dimë bazat. Në shekullin 21 po digjen veturat në veri, ka pritje të gjata për hyrjen e qytetarëve serbë nga Rashka. Prandaj, duhet t’u bëhet më e lehtë jeta qytetarëve dhe kjo arrihet përmes dialogut dhe zbatimit të marrëveshjeve”, ka deklaruar Rohde.
Lidhur me deklaratën e presidentit serb, Aleksandar Vuçiq, se nuk do ta zbatojë nenin 4 të Marrëveshjes që e lejon anëtarësimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare, Rohde insistoi se e vlefshme është ajo çfarë shkruhet në dokumente.
Por skeptikë për përmbushjen e zotimeve nga palët janë shprehur përfaqësuesit e shoqërisë civile.
“Sa i përket rolit ndërmjetësues të BE-së mendoj se aneksi nuk është sa duhet i qartë dhe kjo po u jep hapësirë keqinterpretimeve të marrëveshjes së arritur në Bruksel dhe pastaj asaj në Ohër. Kam frikë se si është duke shkuar mund të reflektohet edhe në rritjen e tensioneve etnike, sepse dy popujt i kanë pritjet e veta nga dialogu. Nëse këto pritje nuk e kanë një emërues të përbashkët të jetës paqësore në këtë vend, kjo marrëveshje ka mundësi të na kthehet bumerang dhe të prodhojë konflikte”, ka thënë Lulzim Peci nga KIPRED.
“Mesazhet që dërgohen nga bashkësia ndërkombëtare sinjalizojnë se ndërmjetësuesit nuk janë të bindur në propozim, se do të zbatohet shpejt dhe me lehtësi. E vështirë të parashihet se çka do të ndodhë. Çështje shumë e vështirë dhe negociata të vështira, dhe nuk e shoh problem që ato të jenë sekrete. Por në terren gjërat realizohen me vështirësi. Veriut nuk i është kumtuar rezultati i dialogut, nuk dihet se çka do të ndodhë me vendimin për targat që skadon nesër. Nuk ka zbutje të tensioneve në terren dhe deklaratat e zyrtarëve nuk janë premtuese”, ka deklaruar Milica Andriq-Rakiq nga NSI-ja.
Më 18 mars në Ohër, Kosova dhe Serbia u pajtuan rreth planit të zbatimit, porse marrëveshja nuk u nënshkrua shkaku i refuzimit të Serbisë. Për të diskutuar rreth tij, javën e ardhshme në Bruksel do të takohen kryenegociatori i Kosovës, Besnik Bislimi, dhe ai i Serbisë, Petar Petkoviq.