Frikë në radhët e forcave ruse – momenti kur ushtarët arratisen në Krasnodar

Mbrëmë në qytetin Krasnodar të Rusisë, një situatë kaotike dhe dramatike shpërtheu brenda një njësie komanduese ushtarake, kur gati njëqind ushtarë rebelë shembën gardhin rrethues dhe u përpoqën të arratiseshin nga objekti ku po mbaheshin të ndaluar.

Pamjet dhe dëshmitë që kanë dalë tregojnë për një shpërthim paniku dhe përpjekje të dëshpëruara për të ikur, çka ngjalli alarm të madh tek autoritetet lokale dhe ushtarake.

Të gjithë personat e përfshirë në këtë përpjekje për arratisje ishin të ashtuquajtur “SOChniki” – term jozyrtar që i referohet ushtarëve që kishin dezertuar më parë nga fronti ose kishin refuzuar të përmbushnin detyrimet e tyre ushtarake. Këta ushtarë, që tashmë ishin arrestuar për përpjekje të mëparshme për arratisje ose mospërfillje të urdhrave, po mbaheshin në qendra të posaçme si ndëshkim dhe për “riedukim” ushtarak.

Sipas burimeve të shumta, shumica e ushtarëve që u përpoqën të arratiseshin janë kapur shumë shpejt, pasi autoritetet ndërmorën masa të menjëhershme për të izoluar zonën. Forcat e sigurisë bllokuan disa rrugë dhe ngritën pika kontrolli përreth qytetit, ndërsa dronë dhe njësi të specializuara u përfshinë në operacionin për kapjen e tyre.

Megjithatë, raportimet nga mediat vendase dhe burime të pavarura tregojnë se tre prej ushtarëve të arratisur janë ende në kërkim dhe nuk është arritur ende të gjurmohen. Fati i tyre mbetet i panjohur, ndërsa spekulimet janë të shumta mbi motivet e arratisjes dhe pasojat që kjo ngjarje mund të ketë për moralin dhe disiplinën brenda ushtrisë ruse.

Ngjarja ka ngjallur reagime të shumta në rrjetet sociale dhe në qarqet opozitare, duke thelluar më tej debatin mbi pakënaqësitë dhe rezistencën që po shfaqet gjithnjë e më shpesh mes trupave ushtarake të përfshira në konfliktin e vazhdueshëm të Rusisë.

Ndryshe, llogaritet se rreth 1 milion ushtarë kanë vdekur ose kanë humbur një gjymtyrë të trupit në luftën në Ukrainë, e cila ka filluar në muajin shkurt të vitit 2022.