Në prag të nisjes së ceremonisë së fillimit të ushtrimit më të madhe ushtarake ndërkombëtare në rajonin e Ballkanit, “Defender Europe” nënkoloneli i Forcës së Sigurisë së Kosovës, Albert Kuçi ka treguar se stërvitja udhëhiqet nga ushtria amerikane dhe se në të dotë marrin pjesë 24 mijë trupa.
“Ky ushtrim do të shtrihet në Europën lindore dhe nis nga Sllovenia”, tha Kuçi për televizionin publik.
“Kosova këtë vit do të përforcohet me 1500 pjesëtarë. Kosova sivjet do të marrë pjesë në dy ngjarje”, tha ai.
“Unë po ju them për hajër e urime ushtrimi”, tha nënkoloneli, duke përmendur paraprakisht fjalët e Adem Jasharit që u thoshte bashkëluftëtarëve “për hajër lufta”.
Në stërvitjen e sivjetme do të marrin pjesë pesë ushtri të NATO-s. Ushtarë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, nga Shqipëria, Turqia, Maqedonia e Veriut dhe Kroacia do të stërviten në pjesë të ndryshme të Kosovës deri më 2 qershor dhe do të shoqërohen nga pesë oficerë të lartë të ushtrisë amerikane.
Për dallim nga vitet e kaluara, këtë vit Kosova do të ketë trefishin e numrit të ushtarëve që do të marrin pjesë në stërvitjet e udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Në ceremoninë e hapjes së ushtrimit “Defender Europe ’23” do të marrin pjesë presidentja Vjosa Osmani, kryeministri Albin Kurti, ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj, komandanti i FSK-së, gjenerallejtënant Bashkim Jashari, etj.
Në prag të nisjes së ceremonisë, në sheshin “Skënderbeu” në kryeqytet janë parë edhe ambasadori i SHBA-së në Kosovë, Jeffrey Hovenier, ambasadori i Gjermanisë, Jorn Rohde e kryetari i Prishtinës, Përparim Rama.
Pjesë e kësaj ngjarjeje do të jetë edhe ekspozimi i pajisjeve të FSK-së, që do të bëhet në sheshin “Skënderbeu” në kryeqytet.
Në ceremoni do të performojë edhe bendi muzikor i ushtrisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës.