Ftesa e Grenell për dialogun, Putin: Asnjë vendim mbi Kosovën s’mund të merret pa Këshillin e Sigurimit

Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, ka deklaruar sot se vendi i tij do të mbështesë Serbinë kur bëhet fjalë për Kosovën.

Sipas tij asnjë vendim nuk mund të merret pa Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara.

Kabineti i presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, njoftoi se Putin në një bisedë telefonike me Vuçiq tha se do të diskutonte çështjen e Kosovës në mënyrë private me homologun e tij serb, i cili do të jetë në Moskë më 24 qershor.

“Gjatë një shkëmbimi të hollësishëm të mendimeve për zgjidhjen e Kosovës, Vladimir Putin foli në favor të hartimit të një kompromisi të pranueshëm për Beogradin, i cili duhet të miratohet nga Këshilli i Sigurimit”, thuhet nga Kremlini zyrtar.

Vuçiq do shkojë në Moskë për të marrë pjesë në shënimin e Ditës së Fitores, e cila u shty për shkak të pandemisë.

Deklarata e Putin vjen në ditën kur Emisari special i presidentit të SHBA-së Richard Grenell ka bërë të ditur vazhdimin e procesit të dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë për datën 27 qershor në Washington.