Gabim në llogaritje gjatë lëshimit, stuhia diellore do të shkatërrojë 40 satelitë të SpaceX

Rreth 40 satelitë të SpaceX pritet që të dalin nga orbita për shkak se kompania i ka lëshuar këta satelitë direkt në një stuhi diellore.

Satelitët e internetit u lëshuan në 3 shkurt dhe tani pritet që SpaceX t’i humbasë ato, pasi do të përballen me një fenomen hapësinor që do t’i shkatërrojë.

Ende nuk dihet dëmi financiar që do të ketë SpaceX, pasi kjo kompani nuk ka zbuluar as se sa kushton ndërtimi i një sateliti Starlink.

SpaceX ka rreth 2000 satelitë Starlink në orbitë, në përpjekje për të zgjeruar biznesin e internetit, në mënyrë që edhe njerëzit në vende shumë të izoluara të kenë internet të shpejtë.

SpaceX ka bërë me dije se do t’i duhen rreth 42 000 satelitë, të cilët duhet të punojnë të gjithë në sinkron për të mbuluar me internet të gjithë globin, në mënyrë që shërbimi të jetë i shpejtë dhe i pandërprerë.