Deputetja nga Lidhja Demokratike e Kosovës, Besa Gaxherri, ka thënë se Lëvizjes Vetëvendosje nuk do t’i falet mosvotimi në Kuvend për marrëveshjet ndërkombëtare.
Në emisionin Info Magazine në Klan Kosova, Gaxherri ka thënë se rezolutat që janë në interes të qytetarëve nuk duhet të politizohen. Sipas saj, subjektet që bëjnë politikë mbi tema që janë në interes të qytetarëve do të ndëshkohen nga vet qytetari.
“Ishte një rezolutë e cila është dashur të na bashkojë – një vullnet politik i Kuvendit – mendoj se asnjë deputet i Kuvendit nuk ka dallime në këtë raport; megjithatë u humb shumë kohë në debat. Kjo rezolutë nuk u mbështet nga të gjitha subjektet politike, pikërisht nga Lëvizja Vetëvendosje dhe është e drejtë e tyre, por sidoqoftë unë mendoj se është dashur të votojnë të gjithë”.
“Këto janë tema tepër të rëndësishme dhe është koha që të reflektojmë sepse jemi në një situatë ndryshe këtë vit duke pasur parasysh ri-aktualizimin e çështjes së Kosovës dhe pandeminë botërore që po krijon një rend të ri”.
“Neve si Kosovë nuk na falet që të kemi ndasi kaq të thella politike. Jam e sigurt se aty të gjitha partitë e duan Kosovën dhe duan që ta përmbyllim marrëveshjen me Serbinë në të mirë të Kosovës”.
Ajo ka shtuar se janë disa tema të cilat janë për qytetarët e vendit dhe jo për partitë politike.
“Shembulli konkret është se rezolutat nuk janë olbigative, por kjo rezolutë ishte për të dërguar mesazh se të gjitha partitë politike janë për t’i ruajtur vlerat e popullit të Kosovës. Marrja përsipër e dialogut nga Hoti nuk ndërlidhet asgjë me Thaçin. Hoti është deklaruar se do ta kryesojë dialogun sepse kështu thotë Kushtetuta”.
“Hoti dhe asnjë kryeministër i këtij vendi nuk ka mandat të dialogojë për ta prekur sovranitetin e vendit dhe rendin kushtetues. Të gjitha partitë duhet të jemi të unifikuara dhe opozita duhet të jetë aty për ta monitoruar punën e Qeverisë”.
“Nuk mund të garantojmë se faktorët ndërkombëtarë nuk do të vendosin në tavolinë gjëra të ndryshme, por Hoti nuk ka mandat të bëjë marrëveshje në dëm të Kosovës”.
“Nuk mund të vazhdojmë me inate politike, opozita mund ta bëjë lojën e saj, por qytetarët do ta përcjellin. VV-së nuk ia falin mosvotimin për marrëveshjet ndërkombëtare sepse ato bëhen për qytetarët e vendit dhe ata do ta gjykojnë një subjekt politik që bën politikë edhe mbi këto gjëra”.