Gazetari amerikan: McGonigal ka përzier detyrën për përfitime personale me Ramën

Mattathias Schvarz, gazetari investigativ amerikan i cili ka publikuar një artikull të gjatë për Allison Guerriero, të dashurën e Charles McGonigal, personit që denoncoi ish-zyrtarin e FBI-së, ka dhënë një intervistë ekskluzive për emisionin Review, në Euronews Albania.

Në deklarimet e tij gazetari pohon se në padinë e ngritur në SHBA shprehet qartazi se Charles McGonigal përziente detyrën e tij me marrëdhënien që kishte me Kryeministrin Edi Rama për përfitime personale.

Ai shton se kryeministri Rama ka refuzuar të ketë kontakte me të dhe shtoi se nëse do të ishte votues në Shqipëri do të kërkonte nga shefi i qeverisë shpjegime për përfshirjen në këtë çështje.

Pjesë nga intervista:

Ju sapo keni publikuar një artikull të gjatë në të cilin thuhet se Allison Guerriero, e dashura e Charles McGonigal është personi kyç në zbardhjen e plotë të aktivitetit të paligjshëm të ish-zyrtarit të lartë të FBI. Është kështu?

Po, për këtë çështje ka shumë detaje që nuk i dimë. Jam përpjekur shumë që të kontaktoj me Kryeministrin Edi Rama, por nuk është përgjigjur.

Ka refuzuar?

Në fillim ai kishte një zëdhënës që më shkroi, por kur Charles McGonigal u padit dhe padia kishte rrethana specifike për aktivitetin e Charles McGonigal dhe Kryeministrit Edi Rama, dhe që kur padia është bërë publike, ai ka injoruar çdo mesazh që i kam dërguar. Sipas meje, Rama mendon se e gjithë kjo po vlon. Mund të ketë një gjyq, ka shumë të ngjarë të dalin fakte të reja dhe në një farë mënyre Kryeministri Rama duhet të shpjegojë marrëdhënien me Charles McGonigal.

Më pyetët për Allison Guerriero. Ajo ishte e dashura e McGonigal në kohën kur ai ishte në FBI dhe bënte udhëtimet në Shqipëri. Sipas padisë, ai ka marrë para nga një person me lidhje në zbulimin shqiptar. Të gjitha këto po hetohen. Ka shumë mundësi që Rama ka lobuar kundër opozitës shqiptare, apo edhe për marrjen e kontratave për shpimin e naftës në Shqipëri. Charles McGonigal ishte partner në një firmë në Shqipëri bashkë me Shefqet Dizdarin, dhe agjentin tjetër Mark Mersini apo dhe me shqiptaro-amerikanin Agron Neza. Të katër kanë një kompani në kryeqytetin e Shqipërisë dhe ende nuk dimë asgjë.

Në padi është e qartë se qeveria mendon se Charles McGonigal përziente detyrën e tij me marrëdhënien që kishte me Kryeministrin Edi Rama për përfitime personale. Nëse do të isha në Shqipëri dhe do të isha një votues shqiptar i Edi Ramës, do të doja një sqarim nga ai për çfarë ka ndodhur. Ky është një shqetësim shumë i madh.