Dhoma e Përfaqësuesve e Kongresit amerikan miratoi dy akuza për shkarkimin e presidentit Trump, hera e tretë në histori që një president i nënshtrohet procesit të shkarkimit në bazë të shkeljeve të parashikuara në Kushtetutë.
Në një lidhje të drejtpërdrejtë në “Mbrëmja në ABC” me Mirela Milorin gazetarja e VOA, Rudina Dervishi është shprehur se ende nuk është e qartë sesi do të ecë plotësisht procesi.
“Votimi historik e vendos Trump në një grup të vogël presidentësh amerikanë që do të kujtohen për përballjen më akuzat e shkarkimit nga ligjvënësit e kongresit. Dhoma e përfaqësuesve votoi në linja partiake për akuzat që synonin shkarkimin e presidentit. Pritet që sipas ligjit këto akuza ti dërgohen senatit i cili zhvillon një proces gjykimi dhe vendos për fajësinë apo pafajësinë e presidentit”, deklaroi Dervishi.
Gjithashtu ajo thekson se ende nuk është e qartë sesi do të ecë plotësisht procesi.
“Kryetarja e Dhomës së Përfaqësuesve Nancy Pelosi nuk ka thënë se kur do të dorëzohen në senat akuzat e miratuara në dhomën e përfaqësuesve ndaj presidentit. Në një konferencë shtypi Pelosi tha se nuk do ta diskutojë më tej këtë çështje”, theskoi Dervishi.
Më tej Dervishi theksoi se sondazhet tregojnë se amerikanët janë të ndarë për këtë çështje. “Rreth 43 % e publikut amerikan mbështet presidentin Donald Trump, ndërsa pjesa tjetër mbështet akuzat e tij. Ngritja e akuzave shihet si një mjet politik që të dyja krahët do ta përdorin për të entuziazmuar votuesit. Këto akuza nuk besohet se do të ndryshojnë opinionin e amerikanëve, ata që e kanë mbështetur presidentin do vazhdojnë ta mbështesin. Nga ana tjetër demokratët besojnë se presidenti ka kryer shkelje. Miratimi i akuzave të fajësimit nga demokratët kërkon një gjykim të presidentit Trump në senat me shumicë republikane në fillim të vitit të ardhshëm, ai pothuajse me siguri do të lirohet nga akuzat dhe do të qëndrojë në detyrë”, tha Dervishi.