Gani Geci, një ndër ushtarët e parë të UÇK-së, e ka falënderuar NATO-n që siç tha, e ka çliruar “edhe UÇK-në, edhe popullin”.
Në një paraqitje të fundit televizive, Geci tha se ushtarët e UÇK-së janë munduar, por shtoi se ata s’kanë mundur t’i mbrojnë e çlirojnë as nënat e tyre.
Neve na kanë çliru ndërkombëtarët. Neve UÇK-në edhe popullin, dhe kjo është e vërteta. Ne jemi mundu aq sa kemi pasë fuqi e aq sa mujtë, por s’kemi mujtë më shumë, dhe këtë duhet me e pranu”, ka thënë ai N’Demos.
“Ne kemi bë mjaft në krahasim me ata që s’kanë bë hiç”, shtoi Geci.
Ish-deputeti ka treguar një bisedë me nënën e tij pas luftës.
“Pas lufte, unë ia nisa me iu lavdu nanës. Shtatë vëllezër, tanë me pushkë në dorë… edhe i thashë na kemi luftu. Nëna tha, ‘a po më kallëzon bre bir diçka?’. I thashë po. ‘Kë e doni ju më shumë sesa mu? A e doni Kosovën më shumë sesa mu?’. Thashë vallahi jo, ty nanë t’dojmë. ‘Po kur s’keni mujtë me më mbrojtë mu, qysh keni mujtë me e mbrojtë Kosovën?’. Nuk është që s’kemi dashtë, por s’kemi mujtë. Dhe nana jonë dhe të gjitha nanat e Kosovës e kanë këtë realitet. Sepse ne s’kemi mujtë me i mbrojtë nanat tona”, ka thënë Geci.
“Prandaj jemi mirënjohës dhe unë i jam mirënjohës NATO-s. I jam mirënjohës sepse ata e kanë çliru edhe nanën, edhe mu, edhe Kosovën. Jo vetëm nanën tem, por edhe nanën e Sylejman Selimit, edhe nanën e Rexhep Selimit. Jo vetëm nanën e Rexhep Selimit, por edhe Rexhep Selimin edhe tanë të tjerët”, ka shtuar ai.
Geci tha se UÇK-ja ka hyrë nëpër qytete vetëm pas intervenimit të NATO-s pasi vetë nuk kanë mundur ta çlirojë asnjë qytet.
“Në çdo qytet të Republikës së Kosovës ne kemi hy pasi që ka hy NATO. Në Skënderaj ne kemi hy një ditë pasi që u hy NATO; NATO tu hy, na mas tyne. Sikur ta kishim çliru ne vetëm një qytet vet para se me hy NATO, ne do të ishim çlirimtarë të të gjitha qyteteve”, ka thënë ai./