A2 CNN ka mësuar nga burime pranë Policisë së Shtetit se është arrestuar në Gjermani, Genc Tafili, i dënuar me burgim përjetë për vrasjen e komisarit të policisë Arben Zylyftari.
Tafili ishte shpallur në kërkim pasi më 27 maj 2021, Gjykata e Apelit Tiranë rrëzoi vendimin e marrë në vitin 2017 nga gjyqtarja e Krujës Enkelejda Hoxha për lirim me kusht të tij. Gjyqtarja më vonë u arrestua së bashku me disa punonjës të Gjykatës së Krujës, pas hetimeve disamujore dhe zbulimit të një skeme mashtrimi për lirimin e disa të dënuarve, ndër të tjerët Endrit Dokle, Hekuran Billa dhe Ilir Paja.
Vëllezërit Tafili janë të njohur për drejtësinë shqiptare dhe u akuzuan dhe dënuan për vrasjen e komisarit të policisë Arben Zylyftari. Pas ngjarjes së vitit 2000, përveç Arben Zylyftarit mbeti i vrarë dhe Bahri Tafili, babai i Genc dhe Admir Tafilit.