Një gjeneral rus është arrestuar nën dyshimin për korrupsion pasi ish-eprori ka dëshmuar kundër tij.
Arrestimi i Gjeneral Majorit, Alexander Ogloblin, ish-shefit të departamentit të komunikimit ushtarak të Rusisë, është arrestimi më i fundit i një zyrtari të lartë ushtarak rus, në mes të spekulimeve për një goditje kundër elitës së Vladimir Putinit.
Ogloblin po mbahet në paraburgim nën dyshimin për marrjen e ryshfeteve në vlerë prej 10 milionë rubla (rreth 100 mijë) nga një kompani telekomunikacioni për të siguruar kontrata me Ministrinë e Mbrojtjes, sipas Komitetit Hetues të Rusisë, të raportuar nga gazeta Kommersant, shkruan newsweek.
Ogloblin ishte dënuar më parë me katër vite e gjysmë burg për përvetësim në shkurt 2022 mbi akuza të tjera, por ishte liruar herët pasi dëshmoi kundër ish-eprorit të tij, Vadim Shamarin, i cili ishte zëvendës-shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Rusisë. Megjithatë, arrestimi i dytë i Ogloblinit erdhi pas dëshmisë së dhënë kundër tij nga Shamarin, sipas Kommersant.
Shamarin u akuzua për marrje të ryshfeteve për prokurime nga prodhuesi Perm Telephone Plant Telta. Ai e ndau ryshfetin me Ogloblin, gjë që ai e zbuloi si pjesë e një marrëveshjeje me hetuesit, sipas Kommersant. Në raportimin e historisë, media New Voice of Ukraine tha se Shamarin mund të ketë kërkuar hakmarrje kundër ish-vartësit të tij.
Gjithashtu u tha se ndërsa ish-ministri i Mbrojtjes, Sergei Shoigu ende nuk është akuzuar për korrupsion, “është e mundur që dikush nga ata mund ta përfshijë atë”.
Ministria Britanike e Mbrojtjes (MOD) tha të mërkurën se arrestimi i dytë i Ogloblinit sinjalizoi një goditje nga autoritetet ruse kundër zyrtarëve të mbrojtjes aktualë dhe ish-zyrtarëve të emëruar nga Shoigu, i cili tani është sekretar i Këshillit të Sigurisë së Rusisë.
Në muajin prill, Timur Ivanov, 48 vjeç, zëvendësministër i Mbrojtjes që mbikëqyrte projekte të mëdha ndërtimi të lidhura me ushtrinë, përfshirë rindërtimin e qytetit portual të shkatërruar Mariupol në Ukrainë, u arrestua nën dyshimin për marrjen e një ryshfeti të madh – një vepër e dënueshme me deri në 15 vite burg.
Në vijim, Shamarin, Gjeneral Major Ivan Popov, një ish-komandant i lartë në ofensivën e Rusisë në Ukrainë, dhe Gjeneral Lejtnant, Yury Kuznetsov, kreu i drejtoratit të personelit në Ministrinë e Mbrojtjes, u arrestuan gjithashtu për akuza për ryshfet.
Në muajin maj, një zyrtar i pestë i ministrisë, Vladimir Verteletsky, nga departamenti i prokurimit të mbrojtjes, u arrestua dhe u akuzua për shpërdorim detyre që shkaktoi dëme me vlerë mbi 70 milionë rubla (rreth 770 mijë euri), tha Komiteti Hetues.
Arrestimet filluan pak para se Putini të niste mandatin e pestë dhe të zëvendësonte ministrin e Mbrojtjes prej kohësh, Shoigu. Këto arrestime kanë nxitur spekulime nëse presidenti rus po riafirmonte kontrollin mbi Ministrinë e Mbrojtjes apo nëse ato sinjalizonin një përplasje mes ushtrisë dhe shërbimeve të sigurisë.