Gjenerali Clark: Kosova është histori suksesi për SHBA

Në shoqërimin e ministrit të Mbrojtjes Armend Mehaj dhe ministres së Ekonomisë Artane Rizvanolli, kryeministri i Kosovës Albin Kurti, priti sot në takim ish-komandantin suprem të forcave aleate të NATO-s në Evropë gjatë viteve 1997-2000, gjeneralin Wesley Clark.

Me këtë rast u tha se intervenimi i NATO-s në Kosovë përbën një moment kthese në historinë e vendit dhe popullit tonë.

Kurti e falënderoi gjeneralin Clark për udhëheqjen e tij në intervenimin vendimtar të NATO-s, kundër Jugosllavisë së Milosheviqit në pranverën e vitit 1999, për funksionin dhe kontributin e pazëvendësueshëm të SHBA-së dhe ritheksoi vendosmërinë e Kosovës për të qenë anëtare e NATO-s.

Ndërsa, gjenerali Clark shprehu mbështetje për synimet e qeverisë për zhvillim ekonomik dhe prosperitet mbarëshoqëror.

Shteti i Kosovës është miku më i madh i SHBA-së në Evropë, tha Clark, teksa rikujtoi herën kur presidenti Bill Clinton, pas vizitës së tij të fundit në Kosovë, i kishte thënë se Kosova është gjëja më e mirë që e ka bërë gjatë presidencës së tij tetë vjeçare. Më tej, ai tha se Kosova është histori suksesi për SHBA si asnjë tjetër.