Gjermania në ofensivë, mediat raportojnë për dëbimin e 36 personave, kryesisht nga Kosova e Serbia

Gjermania ka nisur një ofensivë për dëbinin e personave të cilëve po u mohohet azili atje.

Deutsche Welle në serbisht citon Bild-in se dje pati fluturime nga Hamburgu për në Beograd dhe për në Shkup. Të dëbuarit ishin 36 persona, kryesisht shtetas të Kosovës dhe të Serbisë, të cilëve u është mohuar e drejta për azil ose për ndonjë arsye tjetër e kanë humbur të drejtën e qëndrimit në Gjermani. Mes tyre, siç shkruan DW, ka edhe kriminelë të dënuar.

Fluturimet e kompanisë polake Enter Air ishin organizuar nga rajoni më verior gjerman Schleswig-Holstein, ndaj supozohet se të dëbuarit ishin të regjistruar atje.

Ndryshe nga disa të dëbuar për në Afganistan, fluturimet për në Ballkan nuk konsiderohen sensacion. Ndërsa deportimet për në Kabul janë të diskutueshme sepse qeveria gjermane nuk ka lidhje diplomatike me qeverinë talebane dhe organizatat e të drejtave të njeriut tregojnë për situatën e keqe atje, çështja e fluturimeve për në Beograd dhe Shkup duket të jetë rutinë.

Në rastin e Ballkanit Perëndimor, organizatat e të drejtave të njeriut paralajmërojnë gjithashtu për gjendjen e keqe të të drejtave të njeriut, veçanërisht kur bëhet fjalë për romët. Vetëm në tremujorin e parë të këtij viti, raportohet se autoritetet gjermane i kanë deportuar 795 persona për në Kosovë dhe Serbi.

Në vitin 2014, për shkak të numrit të madh të azilkërkuesve të refuzuar, vendet e Ballkanit Perëndimor u shpallën vende të sigurta. Kjo do të thoshte se personat nga këto vende mund të deportohen pas një procesi të shkurtuar verifikimi.

Për çështjen e migrimit, qeveria gjermane prezantoi një rregull për vendet e Ballkanit Perëndimor, i cili mundëson punësim më të lehtë për qytetarët e këtyre vendeve. Rregulli, i cili kërkon vetëm një kontratë pune nga një punëdhënës gjerman, ka rezultuar i suksesshëm dhe është zgjatur për një kohë të pacaktuar nga qeveria gjermane në qershor të këtij viti.

Pas sukseseve elektorale të partive të ekstremit të majtë dhe të djathtë që e mbrojnë kufizimin e migracionit të parregullt, presioni ndaj qeverisë gjermane për ta përmbushur premtimin e saj për ta intensifikuar dëbimin e njerëzve që nuk kanë të drejtë të qëndrojnë në Gjermani është rritur. Presionit i kontribuoi edhe fakti se personi i cili i sulmoi vizitorët në një festival në Solinigen në gusht, duke i vrarë tre prej tyre e duke plagosur rëndë disa persona, ishte një sirian të cilin autoritetet nuk arritën ta deportonin për në Bullgari.

Herë pas here, në mediat gjermane shfaqen histori për njerëz që, pas një serie të gjatë vitesh dhe dëbimeve të shumta në vendin e tyre të origjinës, kthehen në Gjermani për ta marrë statusin e qëndrimit.