Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka pritur sot me nderimet më të larta shtetërore, presidentin e Malit të Zi, Milo Gjukanoviq. Dy presidentët theksuan marrëdhëniet e shkëlqyeshme ndërmjet dy shteteve dhe nevojën për thellimin e tyre.
Në vizitën e tij të parë në Kosovë, presidenti malazez ofroi mbështetjen për rrugën euro-integruese të Kosovës dhe anëtarësimin në Këshill të Evropës. Nga ana tjetër, dy homologët u shprehën të hapur për vazhdimin e diskutimeve për korrigjimet e mundshme për shënjimin e vijës kufitare, në kuadër të trupit të përbashkët teknik dhe marrëveshjes paraprake të demarkacionit. Ndërkohë, theksuan sërish kundërshtimin për iniciativën rajonale, Ballkani i Hapur.
Pas takimit mbi 1 orësh me dyer të mbyllura, presidentja, Vjosa Osmani në konferencë të përbashkët për medie me presidentin Gjukanoviq tha se diskutimet për marrëveshjen e demarkacionit do të zhvillohen në përputhje me parimin e respektit të ndërsjellë dhe miqësinë ndërmjet dy vendeve.
Osmani: Çdo diskutim do të zhvillohet në përputhje me parimin e respektit të ndërsjellë
“Republika e Kosovës ka ratifikuar tri dokumente në Parlamentin e saj, e para është marrëveshja dypalëshe sa i përket vendosjes së kufirit, e dyta është deklarata e përbashkët ndërmjet dy presidentëve të atëhershëm të Kosovës dhe Malit të Zi dhe e treta, raporti i Komisionit Shtetëror për çështjen e kufirit. Gjithçka që ka të bëjë me raportet tona do të diskutohet dhe do të zhvillohet në përputhje me parimin e respektit të ndërsjellë, raporteve të shkëlqyeshme miqësore dhe çështja e trupit të përbashkët teknik i cili është paraparë në deklaratën e atëhershme të dy presidentëve është një çështje teknike e cila do të realizohet përmes diskutimeve miqësore ndërmjet dy vendeve tona gjithnjë duke e vlerësuar se raportet tona të ndërsjella duhet t’i zhvillojmë vetëm duke pasur parasysh miqësinë dhe thellimin e këtyre raporteve”, tha Osmani.
Nga ana tjetër, presidenti Gjukanoviq tha se përmes punës së komisionit të përbashkët teknik do t’i krijojnë kushtet e domosdoshme për korrigjim të demarkacionit.
Kjo temë, sipas tij mund të konsiderohet problematike vetëm për dikë që dëshiron të krijojë probleme.
Gjukanoviq: Përmes punës së komisionit të përbashkët për demarkacion do të krijojmë kushtet e domosdoshme për korrigjime
“Kjo çështje mund të konsiderohet problematike vetëm për dikë që dëshiron të krijojë probleme. Ne s’dëshirojmë që të krijojmë probleme në asnjë nga adresat tona dhe jam i sigurt që do t’i përmbahemi dokumenteve që kemi nënshkruar. Përmes punës së komisionit të përbashkët për demarkacion do të krijojmë kushtet e domosdoshme për korrigjime për të cilat do të pajtohemi që do të kontribuojë që ky kufi në demarkacionin e tij të jetë i logjikshëm dhe të jetë ashtu siç duhet të jetë dhe të mos shërbejë si burim i mosmarrëveshjeve dhe rrezikimit të marrëdhënieve tona”, tha ai.
Në mendime të njëjta dy presidentët u shfaqën sa i përket iniciativës rajonale Ballkani i Hapur. Presidentja Osmani tha se bashkëpunimi rajonal duhet të ndodh vetëm në kuadër të Procesit të Berlinit.