Kabineti i presidentit të Malit të Zi, Millo Gjukanoviq, tha se nuk do t’i komentojë “pritjet” e Patriarkut të Kishës Ortodokse Serbe, Irinej, që Mali i Zi të tërheqë njohjen e Kosovës.
“Mali i Zi ka politikë të jashtme të qëndrueshme, të bazuar në interesat e tij shtetërore dhe kombëtare, e cila, sipas vlerësimeve nga adresat më të rëndësishme evropiane dhe botërore, i kontribuon edhe stabilitetit në rajon”, tha shërbimi për informim i Gjukanoviqit, transmeton Shërbimi i Ballkanit i Radios Evropa e Lirë.
Dy ditë më parë, gjatë qëndrimit në Mal të Zi, kreu i Kishës Ortodokse Serbe tha se është i bindur se Gjukanoviqi do ta tërheqë njohjen e, siç u shpreh, “shtetit të rremë të Kosovës” dhe se ai “do t’iu kthehet vlerave të vërteta”.
Mali i Zi e ka njohur Kosovën në tetor të vitit 2008, vetëm disa muaj pasi Kosova ka shpallur pavarësinë.
Serbia, tash e sa kohë, thuhet se është angazhuar në një fushatë për të bindur shtetet që e kanë njohur Kosovën që të zmbrapsen nga një hap i tillë.
Më 11 shtator, edhe presidenti i Çekisë, Millosh Zeman, gjatë takimit me autoritetet serbe në Beograd, tha se do të diskutojë me zyrtarët e tij mundësinë që Çekia ta tërheqë njohjen e Kosovës si shtet të pavarur.
Në ueb-faqen e Ministrisë së Jashtme të Kosovës figurojnë 116 shtete, të cilat thuhet se e kanë njohur pavarësinë e Kosovës, të shpallur më 17 shkurt, 2008.