Ambasadori i Serbisë në SHBA, Marko Gjuriç, të shtunën ka organizuar një darkë gala në Uashington për disa anëtarë të njohur të Kongresit amerikan dhe ish-emisarin e Shtëpisë së Bardhë për dialogun Kosovë-Serbi, Richard Grenell, raporton agjencia e lajmeve serbe Tanjug.
Sipas Tanjug, Gjuriç shprehu mirënjohjen e tij për të mbledhurit për letrën e mbështetjes për Serbinë dhe rëndësinë që ata i kushtojnë përmirësimit të mëtejshëm të marrëdhënieve me Serbinë.
“Sonte, me ardhjen tuaj, ju dërguat mesazhe miqësie, respekti dhe mbështetjeje për Serbinë, mesazhe respekti për rezultatet e Serbisë në vitet e fundit dhe mesazhe të afirmimit të rrugës që po ecën Serbia si një partner i besueshëm dhe shtyllë e stabilitetit në rajon”, tha Gjuriç.
“Së bashku, ne ripohojmë rëndësinë e marrëdhënieve shekullore midis Serbisë dhe Shteteve të Bashkuara, dhe aspiratat tona të ndërsjella për të vazhduar të rrisim nivelet e bashkëpunimit dhe të ndërtojmë shtigje të reja të miqësisë së vjetër midis dy popujve tanë në 140 vitet e ardhshme”.
Ndryshe gjatë majit të kaluar, Gjuriç, pati thënë se grupi i miqve të Serbisë në Kongresin amerikan po rritet dita ditës.
“Ne do të kemi mundësinë të shohim se deri në fund të vitit kur letra e kongresit për mbështetjen e Serbisë do të mbështetet nga pakrahasueshëm më shumë anëtarë të Kongresit sesa letrat që pohojnë qëndrime të caktuara të Prishtinës apo biznesmenë të cakktuar nga Beogradi”, kishte thënë Gjuriç.