Gjykata e Pejës ka konstatuar se dënimi i Kryetarit të Istogut, Haki Rugova, me një vit burgim dhe me një vit mosushtrim të funksioneve publike, e arrin efektin dhe parandalon kryerjen e veprave tjera penale.
Këtë konstatim, Gjykata e Pejës e ka nxjerr në arsyetimin me shkrim për dënimin e shqiptuar në qershor të këtij viti ndaj Rugovës, i cili akuzohej për nënshkrimin e kontratës për dhënien e tenderit për vëllain e tij.
Rugova ngarkohej se më 1 gusht 2014 kishte nënshkruar kontratë me kompaninë e vëllait të tij, “Ma-Con” sh.p.k. për ndërtimin e kanalizimit për fshatrat Cercë dhe Lubozhdë, në vlerë rreth 289 mijë e 119 euro e 85 cent.
Përveç dënimit me burgim, Rugovës iu është ndaluar ushtrimi i funksioneve zyrtare në kohëzgjatje prej 1 viti, pas përfundimit të vuajtjes së dënimit.
Në aktgjykimin e siguruar nga “Betimi për Drejtësi”, Gjykata e Pejës ka arsyetuar se nga provat e administruara kishte vërtetuar se i pandehuri Haki Rugova kishte vepruar në kundërshtim në mes detyrës publike dhe interesave private, kur si kryetari i Komunës, kishte nënshkruar kontratën ku kontraktues kishte qenë vëllai i tij Gani Rugova.
Sipas Gjykatës së Pejës, kompania e cila kishte fituar tenderin në Komunën e Istogut, i pandehuri Rugova kishte qenë bashkëpronar deri në vitin 2013, ndërsa sipas gjykatës edhe bashkëshortja e të pandehurit kishte qenë në marrëdhënie punë në këtë firmë.
“Me ç’rast ka kryer vepër penale të konflikt interesit ngase ka vepruar në mospajtim ndërmjet detyrës publike dhe interesave private të zyrtarit të lartë ku ai ka interesa private të drejtë për drejta ose të tërthorta , personale ose pasurore e të cilat ndikojnë në ligjshmërinë, transparencën, objektivitetin dhe pa anësinë e tij gjatë ushtrimit të funksionit publik”, thuhet në arsyetimin e Gjykatës së Pejës.
Në lidhje me lartësinë e dënimit, Gjykata ka gjetur si rrethanë rënduese faktin se i pandehuri Rugova si kryetar Komune, me kryerjen e veprës penale, ka përçuar mesazh të pahijshëm në opinion gjatë ushtrimit të detyrave të tij.
Gjykata e Pejës arsyeton se është e bindur dënimi me burgim efektiv ndaj Rugovës, do të arrihet qëllimi i sanksionit penal dhe parandalimi që i pandehuri të kryejë vepër tjetër penale.
“Gjykata mori për bazë mosdënueshmërinë e gjertanishme të të pandehurit dhe sjelljen e tij të mirë në gjykatë , ndërsa rrethana renduese gjykata mori për bazë faktin se i pandehuri është fytyrë publike gjegjësisht kryetar i Komunës dhe me veprimet e tij, me vetëdije ka shkel Ligjin për parandalimin e Konfliktit të Interesit në ushtrimin e funksioneve publike gjë që në opinion përçon një mesazh të pa hijshëm gjatë ushtrimit të funksionit të tij publik”, thuhet në arsimin e Gjykatës së Pejës.
Sipas gjykatës, me këtë dënim do të arrihet qëllimi i sanksionit penal dhe pandehuri do të parandalohet që në të ardhmen të kryejë ndonjë vepër tjetër penale.
Ndryshe, më 14 qershor 2021, Kryetari i Komunës së Istogut, Haki Rugova, është dënuar me një vit burgim efektiv për rastin ku ai akuzohej nga Prokuroria Themelore në Gjakovë për konflikt interesi.
Sipas aktgjykimit të shpallur nga kryetari i trupit gjykues, gjykatësi Sami Sharaxhiu, ndaj tij u shqiptua edhe dënimi plotësues dhe atë, ndalimi i ushtrimit të funksioneve publike në afat prej një viti, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Po ashtu, ai është obliguar që në emër të shpenzimeve të procedurës penale, paushallit gjyqësor dhe në emër të fondit të viktimave të krimit, të paguaj shumën prej 150 euro.
Ndryshe, sipas aktakuzës së ngritur më 26 mars 2018, nga Prokuroria Themelore e Gjakovës, Haki Rugova akuzohet se duke vepruar si kryetar i Komunës së Istogut, më 1 gusht 2014 ka nënshkruar kontratë me kompaninë “Ma-Con” sh.p.k. për ndërtimin e kanalizimit për fshatrat Cercë dhe Lubozhdë.
Sipas aktakuzës, në momentin e lidhjes së kontratës për kryerjen e punëve ndërtimore në mes të Komunës së Istogut dhe kompanisë “Ma-Con” sh.p.k. drejtor i firmës ka qenë Gani Rugova dhe çmimi i kontratës ka qenë 289,119.85 euro.
Organi i akuzës pretendon se me anë të këtyre veprimeve, i akuzuari Rugova i ka mundësuar interes financiar vëllait të tij, Gani Rugovës, andaj e akuzon se ka kryer veprën penale të konfliktit të interesit.
Fillimisht kjo lëndë ishte dërguar në Prokurorinë Themelore në Pejë, përkatësisht ajo i ishte deleguar prokurorit Haxhi Sinanaj.
Por ky i fundit, më 17 janar 2018 me shkresë i ishte drejtuar ish-kryeprokurorit të Prokurorisë Themelore në Gjakovë, Ali Selimaj dhe pas konsultimit me ish-kryeprokurorin e Prokurorisë së Apelit, Haxhi Derguti, si dhe me kryeprokurorin e Pejës, Agim Kurmehaj, lënda është deleguar në Prokurorinë Themelore në Gjakovë.
“Arsyeja e dërgimit në kompetencë të kësaj çështjeje juridike penale për të pandehurin Haki Rugova, është fakti se me të njëjtin që një kohë të gjatë njihemi dhe jemi në raporte shoqërore, andaj për të qenë një hetim i drejtë dhe i pavarur, pas konsultimit me kryeprokurorin e Apelit dhe kryeprokurorin e Prokurorisë Themelore në Gjakovë, jemi dakorduar që këtë çështje penale ta dërgojmë në kompetencë të Prokurorisë Themelore në Gjakovë”, kishte shkruar prokurori Haxhi Sinanaj.
Ndryshe, Haki Rugova, në zgjedhjet lokale të vitit 2017 kishte fituar edhe një mandat tjetër, për herë të tretë, në krye të Komunës së Istogut.