Më datën 18 shkurt, pesë persona janë arrestuar pasi dyshohet se një ditë më parë e kanë marrë një flamur turk nga shtylla dhe e kanë gjuajtur disa metra larg vendit.
Sot Gjykata Themelore në Prizren ka marrë vendim që ndaj katër të miturve të caktohet masa e sigurisë prej 30 ditësh, ndërsa ndaj personit të pestë të caktohet masa e paraburgimit për të njëjtin afat kohor.
“Të miturit V.Q., A.B., L.B., dhe M.N,., duhet të paraqiten në stacion policor në Prizren një (1) herë në javë, nëse të miturit e shkelin këtë masë ndaj të njëjtëve do të caktohet masa e paraburgimit. Kurse, Departamenti i Përgjithshëm, gjyqtarja e procedurës – Shpresa Emra, ka caktuar masën e paraburgimit ndaj të pandehurit F.Q., në kohëzgjatje tridhjetë (30)ditë, e cila do të llogaritet prej datës 18.02.2022, dhe mund të zgjasë deri më datën 18.03.2022, për shkak të dyshimit të bazuar se në bashkëkryerje me katër (4) të miturit ka kryer veprën penale nxitja e përçarjes dhe mos durimit nga neni 141 par. 1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës“, thuhet në njoftimin e Gjykatës.
Por si ka ndodhur rasti?
Sipas Gjykatës, të miturit V.Q., A.B., L.B., dhe M.N,., me datë 17 shkurt në orët e mesnatës në Prizren përball objektit të Konsullit Turk, nxisin publikisht urrejtje dhe përçarje mbi baza etnike duke e përbuzur simbolet kombëtare të komunitetit turk në atë mënyrë që të miturit deri sa ishin duke ecur së bashku ndalen në një shtyllë përball objektit të Konsulit Turk ku ishte vendosur në një shtyllë flamuri i Turqisë, dhe të miturit në bashkëkryerje e marrin flamurin dhe më pastaj duke ecur së bashku e gjuajnë në Lumbardh afër urës së gurit.
Gjykata njofton se i pandehuri F.Q., në vend dhe kohë të njëjtë si më lartë, nxit ose përhap publikisht urrejtje, përçarje dhe mos durim midis grupeve kombëtare, etnike, në mënyrën e cila mund të prish rendin publik, në atë mënyrë që i pandehuri në bashkëveprim me të miturit, merret vesh që ta heqin flamurin e shtetit Turk, i cili ishte i vendosur në shtyllën elektrike nga ana e kuvendit komunal në Prizren, për nder të festës së pavarësisë së Kosovës, të cilin më pas hedhin në Lumbardhë.