Prokurori i specializuar, Alex Whiting tha se rasti ndaj ish-katër krerëve të UÇK-së ka të bëjë me ta e jo me gjithë UÇK-në.
“Kjo çështje gjyqësore nuk kërkon të procedojë UÇK-në dhe nuk akuzon të gjithë anëtarët e saj. Akuzat ngrihen kundër katër vetave. Shumica e anëtarëve të UÇK-së nuk kishin të bënin fare me krimet për të cilat është ngritur aktakuza”, tha Alex Whiting.
Ai tha se një prej çështjeve më të ndjeshme të këtij rasti ka të bëjë me frikësimin e dëshmitarëve. Sipas tij, disa prej dëshmitarëve që do të paraqiten në seancë gjatë procesit gjyqësor do të kenë “frikë” të tregojnë për ato që kanë përjetuar.
I pandehuri “Hashim Thaçi ka ardhur disa herë në fshehtësi për të dhënë intervista në SPO”, ka thënë Whiting në gjykatë, duke shtuar se: “ai (Thaçi) ka mohuar shumë për rolin e tij dhe rolin e shtabit të përgjithshëm”.
Whitingu pohoi se Thaçi i kishte thënë PSP-së në një nga intervistat gjatë fazës së hetimit se shtabi i përgjithshëm i UÇK-së nuk funksionoi deri në nëntor 1998 dhe madje edhe më pas “ekzistonte vetëm në letër”.
Megjithatë, sipas prokurorit Whiting, SPO-ja do të dëshmojë se deklaratat e Thaçit ishin “kundërshtuar nga deklaratat e tij dhe deklaratat e të akuzuarve”.
“Përse zotëri Thaçi erdhi këtu në Hagë dhe i bëri këto pretendime të rreme sa i përket rolit të tij gjatë luftës lidhur me UÇK-në. Nga se po donte të largohej, çfarë po përpiqej të fshihte. Në fund fare, gjykimi që po fillon sot do t’u japë përgjigje këtyre pyetjeve”, tha Whitingu.
Më herët të hënën Gjykata vendosi kundër kërkesës së mbrojtjes së Thaçit që SPO-ja të mos përdorë provat nga intervistat e Thaçit në deklaratat hyrëse.