Gojështhurrja e putinovëve të Moskës: kur Vuçiç quhet “ku…” e Shqipëria “mu…”

Tema e shkrimit të një numri të caktuar të mediave në Serbi janë të ashtuquajturat “sulme” nga skifterët e regjimit të Putinit, të cilët “zemërimin” e tyre e kanë drejtuar së fundi dhe ndaj Serbisë dhe presidentit Vuçiç.

Shkak për një sjellje të tillë, siç shkruan Blic.rs, është votimi serb në Kombet e Bashkuara, kur Serbia dy herë votoi kundër agresionit rus kundër Ukrainës.

Siç shkruajnë mediat në Serbi, Aleksandar Vuçiç dhe Serbia “u goditën nga dy prej hauçëve të famshëm luftarakë të Putinit: Vladimir Solovyov, propagandues dhe prezantues në kanalin televiziv Russia-1 dhe Yuri Kotenok, një analist ushtarak pro Kremlinit”.

Blic shkruan se “fyerjet rrëqethëse po vërshojnë për shkak të dy “jo”-ve serbe ndaj Putinit”, megjithëse Serbia është e vetmja në Evropë, përveç Bjellorusisë, që nuk ka vendosur sanksione ndaj Kremlinit që nga fillimi i agresionit rus kundër Ukrainës.

Për këtë, Serbia vazhdimisht pëson presione të mëdha nga BE-ja dhe SHBA-të, si dhe kërcënime për tërheqje të investimeve dhe shfuqizimin e regjimit pa viza, shkruajnë mediat serbe.

Përkundër gjithë kësaj, Rusia fillimisht praktikisht e shantazhoi Serbinë me marrëveshjen e gazit, dhe tani është në shënjestër të hapur të propaganduesve të Putinit, siç mund të lexohet më tej në mediat serbe.

Jurij Kotenok, i cili firmos veten si Voenkor Kotenok, shkroi në Telegram se Serbia votoi kundër Rusisë në OKB dhe ofendoi Vuçiçin, duke e etiketuar atë si “kukull” dhe “prostitutë”.

Kotenok njihet edhe si reporter rus i luftës i cili që nga fillimi i agresionit rus kundër Ukrainës ka mbështetur hapur luftën në format më brutale dhe gjenocidin ndaj ukrainasve nën maskën e “denazifikimit”, shkruan Blic.rs.

Vladimir Solovyov, nga ana tjetër, është një nga propagandistët më të egër të Putinit. Ai shkroi në Twitter se “Serbia ishte në mesin e atyre që votuan kundër Rusisë”, dhe se Vuçiç “vazhdimisht premtoi se nuk do të vendoste sanksione ndaj Rusisë”.

Solovyov është autori i një emisioni në kanalin televiziv Rusia-1, në të cilin, ndër të tjera, Perëndimi u kërcënua me ngrirje dhe shkatërrim bërthamor, si dhe kërkoi pushkatimin e atyre që ishin përgjegjës për mobilizimin kaotik në Rusi. Sipas tij, receta për fitoren e luftës: “Të gjithë ata që janë me ne do të jetë mirë, të tjetër duhet të vriten!”

Gojështhurrur dhe ndaj Shqipërinë

Solovyev nuk e kurseu Shqipërinë nga fjalët e rënda dhe fyese.

“Për më tepër, u befasova. Domethënë, duket se ekziston një vend i quajtur Shqipëria i cili është aq i pakulturuar sa nuk e ka lejuar Rusinë, anëtare të përhershme të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, kundër të gjitha normave, madje edhe të shprehë qëndrimin e saj për situatën. Pra ne shkuam përsëri atje dhe e mbajtëm gojën mbyllur. Ku janë sanksionet ndaj një vendi që ka emrin Albania dhe sillet më shumë si Albany. Nuk më kujtohet se në çfarë shteti është (Albany është në shtetin amerikan të Nju Jorkut). Papritur, u shfaq një vend që nuk e konsideron veten si ‘një mut të lirë’ të imperializmit amerikan, por një vend të madh dhe të pavarur”, tha Solovyov.

Si reagim, përdoruesit e Twitter përgjigjen: “Si, nuk ka dëgjuar për Shqipërinë kur në shtetin fqinj ka disa vila”. Së fundmi u publikua fakti se Solovyov kishte dy vila në Itali.

Të hënën, Serbia mbështeti refuzimin e nismës së Rusisë që Asambleja e Përgjithshme e OKB-së të mbajë një votim të fshehtë nëse do të dënojë lëvizjen e Moskës për të aneksuar katër rajone të pushtuara në Ukrainë. Serbia ishte në mesin e 107 vendeve që deklaruan se votimi duhet të jetë publik.

Më pas, të mërkurën, Asambleja e Përgjithshme e OKB-së miratoi me 143 vota një rezolutë që i thotë Rusisë se aneksimi i katër territoreve të Ukrainës është i paligjshëm dhe i pavlefshëm. Për rezolutën votoi edhe Serbia.