Oleksiy Goncharenko, deputet ukrainas, që të martën në Këshill të Evropës bëri thirrje për njohje të Kosovës, ka thënë se kjo ide ka mbështetje në shtetin e tij, por se zyrtarisht nuk ka gatishmëri që të ndodhë.
Në “Interaktiv” të KTV-së, Goncharenko, që pati sponsorizuar një rezolutë në Parlamentin e Ukrainës për njohje të Kosovës, ka kërkuar që 12 shtetet brenda Këshillit të Evropës që ende s’e njohin Kosovën ta bëjnë këtë dhe ta mbështesin në rrugën drejt Bashkimit Evropian.
I pyetur se a ka diskutime për njohjen e Kosovës nga Ukraina, Goncharenko ka thënë se vazhdojnë të jenë pozicionet e ndara.
“Tani për tani, nuk e kemi mbështetjen e Ministrisë së Punëve të Jashtme. Kështu që çështja është ende duke u diskutuar, por qëndrimi im nuk ka ndryshuar. Do të vazhdoj ta shtyj përpara këtë çështje siç e kam bërë sot në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës. Kështu që shpresoj që do të arrijë së shpejti dita kur Ukraina përfundimisht do ta njohë në plotni pavarësinë e Kosovës”, ka thënë ai.
Goncharenko ka thënë se MPJ-ja ukrainase po përballet me sfida të mëdha dhe nuk synon të bëjë hapa që i konsideron radikalë.
“Mendoj se kjo shpjegon pse ata mbajnë këtë qëndrim. Sepse në përgjithësi, me të gjithë ata që flas në Ukrainë, të gjithë e kuptojnë faktin se Kosova tashmë është e pavarur dhe meriton pavarësinë për luftën e popullit të Kosovës. Dhe po ashtu që Kosova përkrah Ukrainën, në kontrast për shembull me pozicionin serb, e cila mban një pozicion absolutisht të paqartë. Kështu që, në përgjithësi e shoh që njerëzit e mbështesin idenë e njohjes, por zyrtarisht, frikësohem që nuk janë të gatshëm ta bëjnë një gjë të tillë”, ka thënë tutje Goncharenko.
Oleksiy Goncharenko, deputeti ukrainas që përfaqëson shtetin e tij edhe në Asamblenë e Përgjithshme të Këshillit të Evropës, ka thënë se Rusia tenton ta përdorë Ballkanin Perëndimor për të krijuar gjakderdhje të re, pas pushtimit të Ukrainës.
“Një kaos të ri e probleme të reja për botën e Ballkanin perëndimor. Për këtë, Rusia u përpoq të shtynte një grusht-shtet në Mal të Zi. Për këtë Rusia po përpiqet ta përdorë Serbinë ta destabilizojë situatën e sigurisë, për këtë Rusia po e destabilizon Bosnjë e Hercegovinën përmes njerëzve si Milorad Dodiku. Kështu që, është e qartë se ky është plani dhe taktikat e tyre”, ka thënë ai në “Interaktiv” të KTV-së.
Ai e ka cilësuar si zgjidhje të duhur qëndrimin e Kosovës kundër Rusisë.
“Mendoj se është një zgjedhje e duhur nga njerëzit tuaj që të jetë sa më larg që mundet prej Rusisë. Sepse Rusia është tërësisht djallëzore”, ka thënë ai.