Tropeano është një nga mbi 250 gratë në të gjithë botën që janë pjesë e Lëvizjes së priftëreshave katolike romake, një grup që po merr pjesë në shërbimet e shugurimit të paautorizuar për t’u bërë priftëresha, në një akt kundërshtimi ndaj Kishës Katolike Romane
Por ajo gjithashtu po bisedon në telefon që ta punësojë një rojë sigurie për shërbimin në një kishë në Albuquerque, New Mexico, ku jeton – pasi parashikon se mund të ketë armiqësi.
“Është një çështje e tensionuar”
“Është një çështje e tensionuar, jo të gjithë janë të hapur që madje të marrin në konsideratë mundësinë që gratë të thirren në priftëri”, thotë ajo. Tropeano nuk shqetësohet vetëm për ngacmimin personal. Që kur ka ndarë mendjen për t’u bërë priftëreshë katolike, thotë se në internet ka përjetuar ngacmime “që ta zënë frymën”.
Tropeano është një nga mbi 250 gratë në të gjithë botën që janë pjesë e Lëvizjes së priftëreshave katolike romake, një grup që po merr pjesë në shërbimet e shugurimit të paautorizuar për t’u bërë priftëresha, në një akt kundërshtimi ndaj Kishës Katolike Romake.
Kisha Katolike nuk i lejon gratë të jenë priftëresha. Në fakt, Vatikani e sheh atë si një krim të rëndë në ligjin kanunor që dënohet me shkishërim. Kjo do të thotë se gratë, pasi të kenë marrë pjesë në një “shugurim”, nuk janë në gjendje të marrin sakramentet, duke përfshirë kungimin, ose të kenë një funeral në kishë.
“Shkishërimi ishte arsyeja që unë nuk isha në gjendje të argëtohesha duke u bërë priftëreshë qe një kohë të gjatë”, thotë ajo. “Unë do të bëja meshë çdo ditë. Kam punuar për një famulli, e gjithë jeta ime ishte në kishë. Kështu që të mendoja të hiqja dorë nga kjo, as që mund ta imagjinoja vërtet”.
Tropeano është një katolike e devotshme, e cila pas vitesh duke bërë punë të tjera, përfshirë menaxhimin e një grupi rock, ndjeu thirrjen për priftëri: “Unë do ta dëgjoja këtë. Ti je priftëresha ime, ti je priftëreshë. Unë dua që të jesh priftëreshë”.
Mundësia e vetme
E vetmja mundësi e hapur për të si grua ishte t’i shërbente Kishës në një rol tjetër – si murgeshë ose si kontribuuese laike në dioqezën e saj. Ose ajo mund të largohej tërësisht nga katolicizmi, në një tjetër besim të krishterë që do ta mirëpriste atë si priftëreshë.
Pas vitesh dallueshmërie personale, kuptoi se kufizimet e rregullave të Vatikanit nuk do ta linin ta jetonte këtë thirrje: “Sapo kuptova se ky ishte hapi tjetër, shkishërimi ishte vetëm pjesë e udhëtimit”.
Tropeano dhe gra të tjera si ajo, po e shohin gjithashtu zgjedhjen e tyre për t’u “shuguruar” si një mënyrë për të bërë fushatë kundër asaj që e konsiderojnë rregull seksist nga Kisha.
Nga Judaizmi Reformues deri te shumë besime protestante, besimet e tjera janë të hapura për shugurimin e grave. Megjithatë, për Kishën Katolike ndalimi i qasjes së grave në priftëri bazohet, ndër argumente të tjera, në të dhënat biblike se Krishti i zgjodhi 12 apostujt e tij vetëm nga burrat dhe që atëherë Kisha ka vazhduar të imitojë Krishtin.
Për Tropeanon ndikimi i këtij rregulli është i gjerë.
“Kisha nëpërmjet veprimeve të saj të përjashtimit të grave nga shugurimi priftëror mëson se gratë janë inferiore. Gratë e mësojnë këtë, fëmijët e vegjël mësojnë këtë, burrat mësojnë këtë… Kështu që ata dalin dhe jetojnë në atë mënyrë”.
Ceremoni në lundrim
Lëvizja për priftërinë e grave spikati në vitin 2002. Një grup prej shtatë grash mori pjesë në një shërbim shugurimi të paligjshëm në bordin e një anijeje në lumin Danub, në ujërat ndërkombëtare për të shmangur konfliktin me çdo rajon kishtar.
Megjithatë, kishte raporte për “shugurime” të mëparshme sekrete, si ajo e Ludmila Javarovas, e cila gjatë sundimit komunist të Çekosllovakisë në vitet 1970 mori pjesë në një shërbim të udhëhequr nga një peshkop katolik roman.
Lëvizja e shugurimit të grave tani është kryesisht një grup evropian dhe amerikan, por ajo ka zgjeruar përfaqësimin e saj në pjesë të tjera të botës.
Kolumbianja Olga Lucía Álvarez Benjumea ishte priftëresha e parë femër në Amerikën Latine, një bastion i Kishës Katolike me më shumë se 40% të popullsisë prej 1.3 miliardë katolike globale.
Ceremonia e saj në vitin 2010 ishte sekrete, por thotë se ka marrë mbështetje nga hierarkia lokale e Kishës: “Ishte një peshkop… një katolik roman, emrin e të cilit nuk ia themi për të mos e futur në telashe me Vatikanin”.
“Kisha shumë frikë se mos njerëzit do të fillonin papritur të më fyenin apo të më hidhnin gjëra në altar, në këtë shoqëri shumë konservatore ku jetoj.
“Pra, mbështetja që mora nga njerëzit ishte një surprizë e madhe dhe kjo e forcoi dhe përforcoi misionin tim”, thotë Álvarez. Ajo tani është graduar si peshkope në kuadër të Shoqatës së Priftërinjve Katolikë Romanë (ARCWP), e cila nuk njihet nga Vatikani.
Álvarez vjen nga një familje shumë e devotshme katolike, por kishte mbështetjen e nënës së saj, një ish-murgeshë. Vëllai i saj, një prift, i dha asaj një kupë të cilën e sheh si një formë mbështetjeje të heshtur.
Dera e mbyllur
Álvarez këmbëngul se nuk ka asgjë në shkrime biblike për të përjashtuar gratë nga priftëria: “Është një ligj njerëzor, një ligj i Kishës dhe një ligj i padrejtë nuk duhet të respektohet”.
Ky është një mendim i ndarë nga Konferenca e Shugurimit të Grave (WOC), një grup që lobon në Vatikan për qasjen e grave në priftëri përmes thirrjeve për dialog dhe demonstrata.
Drejtoresha ekzekutive, Kate McElwee, thotë se puna e saj e preferuar është që ato e quajnë Ministria e Irritimit – e cila ka parë mbështetësit të bëjnë gjithçka, nga lëshimi i tymit rozë gjatë Konklavës deri te shtrirja në rrugë ndërsa autokolona e Papës po kalonte nëpër qytet. Për veprimet e tyre ato janë ndaluar nga Policia e Vatikanit.
“Ne ecim me këto gra në profesionin e tyre dhe ato presin që Vatikani të hapë dyert e tij dhe të përballet me të vërtetë me mëkatet e tij të seksizmit”, thotë McElwee. “Por ndërkohë për gratë e tjera do të ishte e pamundur të prisnin, thirrja është aq e zhurmshme dhe aq e qartë nga Zoti sa nuk kanë zgjidhje tjetër veçse të shkelin një ligj të padrejtë”.
Kisha i sheh këto shugurime jo vetëm si të paligjshme, por edhe të pavlefshme.
Pasi historia e Danubit u bë publike, kardinali Joseph Ratzinger, më vonë Papa Benedikti, deklaroi se duke qenë se gratë nuk dhanë asnjë shenjë pendimi, “për shkeljen më të rëndë që kanë kryer, ato kanë kryer shkishërim”.
Vetë Papa Françesku ka përjashtuar mundësinë që një grua të shërbejë ndonjëherë si priftëreshë. Në vitin 2016, kur u pyet për ndonjë shans që kjo mund të ndryshojë, iu referua një dokumenti të vitit 1994 nga Gjon Pali II që thoshte se “dera është e mbyllur” për shugurimin e grave, për të cilin Papa tha se “e mbështet”.
Motra Nathalie Becquart punon në një zyrë në qytetin e Vatikanit, me një foto të saj dhe Papa Françeskut pas saj. Në shkurt 2021, ajo ishte gruaja e parë që u emërua ndonjëherë si nënsekretare e Sinodit të Peshkopëve, një organ që këshillon Papën.
Ajo e shpreh qëndrimin aktual për gratë priftëresha thjesht: “Për Kishën Katolike në këtë moment, nga pikëpamja zyrtare, kjo nuk është një çështje e hapur”.
“Nuk është vetëm çështja që ju të ndieni se jeni thirrur në priftëri, është gjithmonë një njohje që Kisha do t’ju thërrasë të jeni prift. Kështu që ndjenja apo vendimi juaj personal nuk mjafton”, thotë murgesha franceze.
Motra Becquart është një nga disa gratë që u janë dhënë role kryesore të larta nën pontifikatin e Papa Françeskut. Pozicioni i saj e bën atë gruan e parë në Vatikan me të drejtë vote.
Ajo beson se po ndodh një evolucion, duke lejuar më shumë gra të marrin role udhëheqëse, por role që janë “të shkëputura nga shugurimi”.
“Unë mendoj se ne duhet të zgjerojmë vizionin tonë për Kishën. Ka shumë, shumë mënyra që gratë t’i shërbejnë Kishës”, thotë motra Becquart.
Por ajo gjithashtu thekson se ndryshimi nuk është kurrë i lehtë dhe gjithmonë përballet me “frikë dhe rezistencë”.
Një mënyrë tjetër
Në një katedrale të heshtur, Anne Tropeano përballet me peshkopin e saj dhe shpall plot emocione: “Ja ku jam, jam gati”.
Është një ditë që ajo e ka pritur për 14 vjet. Ceremonia e shugurimit ndjek një liturgji të ngjashme me atë që do të përjetonin burrat që bëhen priftërinj katolikë – duke përfshirë vendosjen e duarve dhe lutjen e shenjtërimit.
Gjatë ceremonisë, peshkopi Bridget Mary Meehan ngre krahët e Tropeanos dhe ia paraqet atë kongregacionit që duartrokiste. “E saposhuguruarja” Anne tha se ndihej e “përqafuar”.
Tropeano krenohet se është fytyra e një ministrie të ndryshme, me më shumë pjesëmarrje dhe më pak hierarki, si dhe që është e hapur për grupet e kontestuara tradicionalisht nga Kisha.
“Askush nuk është larguar nga kungimi. Pavarësisht nëse jeni divorcuar apo jo, asgjë nga këto nuk ka rëndësi. Të gjithë janë të mirëpritur, njerëzit LGBTQ janë të mirëpritur në tryezë”, thotë ajo.
Olga Lucía Álvarez e sheh gjithashtu priftërinë femërore si një mundësi për të ripërcaktuar marrëdhëniet e katolikëve laikë me përfaqësuesit e tyre të altarit.
Ekziston një mundësi në gjendjen aktuale të Kishës, thotë “peshkopja”- gruaja kolumbiane, duke pasur parasysh numrin në rënie të thirrjeve dhe skandalet e abuzimit seksual të klerikëve që kanë dëmtuar rëndë besimin te priftërinjtë.
“Si mund të thonë se janë përfaqësuesit e vetëm të Zotit në Tokë? Ata nuk kanë turp”, thotë ajo për serinë e akuzave për abuzime në mbarë botën.
Papa Françesku u ka kërkuar falje viktimave të abuzimit seksual të kryera nga klerikët dhe ka dënuar “bashkëfajësinë” e Kishës në fshehjen e “krimeve të rënda”.
Kundërpërgjigjja e grave
Álvarez e sheh shërbimin e grave si një përgjigje. Në moshën 80-vjeçare, ajo e kalon kohën duke mentoruar gra më të reja që shpresojnë të bëhen priftëresha.
“Është urgjente të tregohet një fytyrë tjetër e priftërisë. Nuk mund ta lëmë historinë të përsëritet”.
Lëvizja për shugurimin e grave kërkon një debat të hapur për ndalimin, pasi ato janë të bindura se do të kenë mbështetjen e katolikëve laikë.
Në Brazil, vendi me popullsinë më të madhe katolike në Amerikën Latine, pothuajse tetë në dhjetë katolikë thanë se mbështesin gratë priftëresha. Në SHBA, shifra ishte gjashtë në 10, sipas një sondazhi të vitit 2014. Megjithatë, lëvizja për shugurimin e grave ende nuk ka marrë hov në Afrikë, rajoni me popullsinë katolike me rritjen më të shpejtë.
Kur bëhet fjalë për mundësinë e ndryshimit, Tropeano i bën thirrje vetë Papës që të hapë një dialog.
“Ju duhet të keni një audiencë me gratë që thirren në priftëri. Pavarësisht nëse ato janë ‘shuguruar’ si pjesë e kësaj lëvizjeje apo jo, ju duhet të dëgjoni përvojën tonë dhe ta merrni atë në lutjen tuaj”.
Ndërsa lufta për shugurimin e grave në priftëri duket ende sikur mund të jetë e gjatë, Tropeano mendon se është jetike për të ardhmen e Kishës.
“Kisha nuk do të jetë në gjendje të përmbushë misionin e saj nëse nuk ka pjesëmarrje të barabartë. Për momentin nuk ka asgjë më të rëndësishme”.
Përktheu: Rexhep Maloku