Ish-emisari i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për dialogun Kosovë-Serbi, Richard Grenell, ka thënë që Evropa nuk është dashur ta dërgojë ish-presidentin Hashim Thaçi në Hagë.
Sipas Grenellit, ShBA-ja ka arritur sukses më të madh në bashkëpunimin me të lidhur me dialogun, se sa me të tjerët.
“Evropianët nuk duhej ta çonin Hashim Thaçin në Hagë. Populli i Kosovës, nëse do që të ecën përpara, e di që ne kemi arritur progres më të madh sa ishte Thaçi president”, ka thënë Grenell për gazetën serbe “Politika”.
Ai gjatë intervistës u shpreh që nuk pret shumë nga dialogu midis dy vendeve, ndërkaq për Marrëveshjen e Uashingtonit tha se disa pjesë janë shkelur, dhe pati kritika edhe për udhëheqësinë aktuale amerikane.
“Duhet ta pyesni Bashkimin Evropian [se si është situata aktuale e dialogut]. Ata janë përgjegjës, sepse administrata e Bidenit ka deklaruar që nuk do që të jetë e përfshirë dhe ia ka lënë iniciativën Bashkimit Evropian”.
“Nuk mendoj që është bërë diçka, por as që pres shumë. Nëse Bashkimi Evropian është në krye, ka shumë llafe e pak vepra”.
“Disa pjesë [të Marrëveshjes së Uashingtonit] janë shkelur, për disa pjesë të tjera ende po tentohet zbatimi i tyre, mirëpo nuk ka udhëheqësi amerikane, nuk ka presion që ato të zbatohen”.