Gruaja iraniane e shpërfill hixhabin, edhe pas ndëshkimit “mesjetar” me kamxhik

Shenjat e kamxhikut në trupin e Roya Heshmatit kanë ringjallur kundërshtimet ndaj ndëshkimeve të ashpra të Iranit kundër grave për gjoja krimet e tyre kundër “moralit”.

Por, po vihet në dyshim edhe arsyeja zyrtare e rrahjes së saj me kamxhik, derisa 33-vjeçarja me prejardhje kurde tani përballet me rrezikun e dyfishtë për ta mbrojtur emrin e vet nga njollosja.

Heshmati njoftoi në rrjetin social Facebook javën e kaluar se ishte ndëshkuar me 74 goditje me kamxhik, për shkak të një postimi që e kishte bërë në rrjetet sociale në prill, ku shihej në fotografi pa shami në kokë.

Postimi i saj përmbante një fotografi që e shfaqi atë të veshur në këmishë të kuqe dhe fund të zi duke ecur në një rrugë të njohur në Teheran.

Ky posti nxiti arrestimin dhe paraburgosjen e saj për 11 ditë, për akuzat se kishte dalë jashtë pa shaminë e kokës. Më vonë, ajo u akuzua për propagandë kundër shtetit, për shkelje të rendit publik dhe për përhapje të përmbajtjes së pamoralshme në rrjetet sociale.

Derisa ajo u dënua fillimisht me 13 vjet burgim për këto akuza, pas një ankese dënimi ndaj saj u zbrit përfundimisht në një vjet burgim me kusht, me ndalim të largimit nga vendi për tri vjet, me një gjobë prej 25 dollarëve dhe me 74 goditje me kamxhik në shpinë.

Këtë javë, ajo u thirr në zyrën e prokurorit të qarkut në kryeqytetin iranian, ku më 3 janar u rrah me kamxhik. Më vonë, banorja e Teheranit me prejardhje nga Sanandaj – qyteti i dytë më i madh në provincën perëndimore kurde – e përshkroi në hollësi përvojën e saj përmes një shkrimi në Facebook.

Heshmati shkroi se si me këmbëngulje nuk kishte pranuar ta vendoste në kokë shaminë, pavarësisht kërcënimeve nga burri që po i binte fort me kamxhik se do ta hapte një rast të ri kundër saj për shkeljen e ligjit të hixhabit.

Në fund, tha ajo, ai ia lidhi duart mbrapa shpinës, duke ia pamundësuar ta heqë shaminë nga koka, të cilën ia kishin vendosur zyrtaret e gjykatës.

Heshmati u dërgua më pas në një dhomë, të cilën e përshkroi si “dhoma e torturimit mesjetar”, ku thotë se u rrah para një gjykatësi me njërin prej kamxhikëve të shumtë që shfaqur aty.

Derisa goditjet e tronditnin, Heshmati shkroi se si e duroi dhimbjen duke i recituar fjalët e një këngë të popullarizuar gjatë protestave me moton: “Gra, jetë, liri”, të cilat shpërthyen në fund të vitit 2022 nëpër gjithë Iranin, pas vdekjes në paraburgim policor të Mahsa Aminit, një kurde tjetër e Iranit, e cila ishte arrestuar për mosbartjen e shamisë gjatë një vizite në Teheran.