Protesta e disa qindra serbëve në anën serbe të pikës kufitare në Jarinjë është elementi i fundit destruktiv i situatës në Veri të Kosovës.
Mesazhi i KFOR-it megjithatë ishte i qartë.
Përmes një njoftimi për media te dielën thanë se kanë kapacitet dhe nuk do të lejojnë që situata të përkeqësohet më tej.
Megjithatë grupet ekstremiste në mesin e protestuesve të djeshëm janë potencial i madh për eskalim, kjo edhe për faktin se Serbia nuk i pengon ta zhvillojnë lirshëm aktivitetin, siç ndodhi edhe të dielën pasdite.
“Problemi është se qeveria as nuk i arreston dhe as në asnjë mënyrë tjetër nuk i pengon ekstremistët që shkelin ligjin dhe përhapin gjuhën e urrejtjes. Kjo është arsyeja pse deklaratat e disa ekspertëve që thonë se të gjitha grupet ekstremiste janë nën kontrollin e shërbimeve të sigurisë së Serbisë apo Rusisë bëhen mjaft bindëse. Në çdo rast përgjegjësinë më të madhe e kanë autoritetet dhe prokuroria, të cilët duhet të bëjnë punën e tyre”, thotë Goran Miletiç, drejtori i programit Mbrojtja e të Drejtave Civile nga Beogardi në një koment të tij për gazetën serbe Danas.
Serbia, thotë Miletiç, do të ndalonte grupet e dyshimta që protestuan në kufi po të donte të dërgonte mesazh se ishin të interesuar për qetësimin e situatës, “por përkundrazi, ishte mesazh që edhe ne nga Serbia po krijojmë probleme edhe më të mëdhë”, deklaron Miletiç.
Të dielën kanë qarkulluar informacione se serbët po planifikojnë djegjen e kabinave të pikave të kontrollit, siç kishte ndodhur në vitin 2011, prandaj, KFOR-i amerikan është mobilizuar dhe ka vënë edhe tela me gjemba në një pjesë, tela që nuk ishin vënë tash e sa vjet.
Njëkohësisht në Kosovë vazhdojnë bllokadat, madje janë bllokuar disa rrugë dytësore dhe janë vendosur pengesa, gjë që deri më tani ka sjellë një viktimë, një grua të moshuar serbe, e cila është penguar të marrë ndihmë mjekësore, për shkak se nuk është lënë të kalohet përmes barrikadave.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, pati deklaruar se heqjen e barrikadave ia kanë lënë KFOR-it, por siç është kuptuar KFOR-i nuk do të ndërhyjë, sepse po pritet një zgjidhje politike e situatës.
Nga Bashkimi Evropian është thënë se po përgatitet një takim i mundshëm mes Kurtit e Aleksandër Vuçiç-it në Bruksel.