“Grupi i Kumanovës” mund të ekstradohen në Kosovë për të vuajtur dënimin

Ministri i Drejtësisë, Selim Selimi ka bërë të ditur se të burgosurit në rastin “Kumanova” mund të ekstradohen në Kosovë për të vuajtur dënimin.

Selimi këtë e bëri të ditur në seancën e Kuvendit, derisa po ashtu njoftoi se për këtë çështje ka biseduar me homologen e tij nga Maqedonia e Veriut, derisa tha se Kosova pret që drejtësia të mos jetë diskriminuese.

Selimi tha se janë duke diskutuar mundësinë e një marrëveshjes për ekstradimin e shtetasve që dënohen me burg në dyja shtetet.

“Në takimin virtual kemi biseduar edhe për trajtimin e kosovarëve në burgjet e Republikës së Maqedonisë së Veriut. E di që rasti është ende në pjesën e jashtëzakonshme juridike. I kam treguar që shteti i Kosovës është i gatshëm të lidhë marrëveshje ekstradimi, kurdo që ky rast e mer epilogun. I kam përcjellur mesazhin se Kosova pret që drejtësia të mos jetë diskriminuese”, ka thënë ai.