Marrëveshja për emigrantët, e arritur mes kryeministrit shqiptar Edi Rama dhe kryeministres italiane Georgia Meloni është kryefjalë e shtypit Italian, që shpalos më shumë detaje mbi atë për të cilën dy vendet janë dakordësuar.
Deri 36 mijë emigrante në vit, të cilët do të mbërrijnë ilegalisht në Itali përmes itinerareve detare, mund të strehohen në 2 struktura italiane në Shqipëri.
Por, sipas të përditshmes La Republicca, në vendin tonë do të përfundojnë vetëm burrat mbi 18 vjeç, dhe do të përjashtohen gratë, fëmijët dhe personat vulnerabël.
Për ilFatto Qutidiano, kryeministri Rama shpjegon se Italia do të paguajë për gjithçka dhe nëse riatdhesimet nuk do të bëhen, do të duhet të rimarrë mbrapsht emigrantët.
Media italiane citon gjithashtu kryeministrin të thotë se marrëveshja është ende teorike dhe se nga e thëna në të bërë, është një det i tërë.
“Gjithçka do të jetë në ngarkimin tuaj. Infrastruktura, mikpritja apo transferimi në qendër. Ne vëmë në dispozicion vetëm tokën,” deklaroi kryeministri një ditë më parë nga Italia.
La Republica, e vë theksin tek debatet e brendshme që ka shkaktuar marrëveshja, mes atij që e cilëson çiftin e çuditshëm, Giorgia dhe Edi.
Opozita italiane me në krye Partinë demokratike flet për një “rrëmujë të rrezikshme” dhe thotë se ujdia i hap rrugën krijimit të një lloj Guantanamoje italiane, larg çdo standardi ndërkombëtar dhe larg BE, pa mundësinë e kontrollit të kushteve të të cilat do të mbahen këto qendra.
Duke kujtuar edhe vizitën e Melonit ne Vlorë, me ftesë të Ramës gjatë muajit gusht, La Republica e sheh ujdinë, si pjesë të përpjekjeve të kryeministrit shqiptar për të pasur mbështetjen e asaj që e konsideron si sponsorin më të flaktë të integrimit të Shqipërisë në BE.
Sakaq, nga Brukseli një zëdhënës i Komisionit Europian thekson se çdo marrëveshje e këtij lloji duhet të respektojë plotësisht të drejtën komunitare dhe ndërkombëtare.