Një fenomen mjaft shqetësues për qytetarët e Kosovës janë bërë vjedhjet e shpeshta nëpër shtëpi, që po shkaktojnë ankth e pasiguri, sidomos kur shtëpitë mbesin pa përkujdesje. Kështu e ka pësuar edhe familja Sopa në fshatin Kaçanik.
Hajnat kanë bërë kërdi në shtëpitë e tyre, kur brenda pak minutave kanë vjedhur një shumë të majme parash, raporton Gazeta Sinjali.
Burimet brenda Prokurorisë kanë bërë me dije për Sinjalin se rastin e ka denoncuar në Polici pronari, i cili ka deklaruar se hajnat kanë vjedhur nga shtëpia e tij rreth 40 mijë euro, pjesa më e madhe në vlerë monetare paund.
Sipas deklaratës së tij, të dhënë para hetuesve policorë me rastin e denoncimit të rastit, kuptohet se të dyshuarit kanë depërtuar brenda me forcë, ku kanë demoluar shtëpitë dhe më pas kanë vjedhur këtë shumë të madhe parash.
Si rezultat i denoncimit, njësitë policore iu janë përgjigjur rastit dhe është bërë ekzaminimi i vendit të ngjarjes, ndërkohë që me urdhër të Prokurorit është iniciuar rasti si “vjedhje e rëndë” dhe kanë nisur hetimet për identifikimin dhe kapjen e të dyshuarve.