Hakerat kanë publikuar videot e përgjimeve të Shërbimit Informativ Shqiptar, SHISH.
Një nga videot e publikuara nga “Homeland Justice” tregon përgjime në një nga ambasadat e huaja në Tiranë.
Gazetari i Euronews Albania, Eni Ferhati raportoi se 2 videot e publikuara të hënën pretendohet se janë përgjime të dy ambasadave të huaja në Tiranë, njëra nga të cilat duket si ambasada e Kinës, por kjo mbetet për t’u verifikuar.
Në mesazhin e hakerave në kanalin e tyre Telegram shkruhet ‘Prisni për një bombë’, duke supozuar se kanë materiale të tjera më të rëndësishme.
Katër ditë më parë hakerat zbuluan një pjesë të identitetit të funksionarëve të Shërbimit Informativ Shtetëror.
“Homeland Justice” publikoi një listë me rreth 400 emra të punonjësve të shërbimit sekret të sektorëve të ndryshëm nga zbulimi, kundërzbulimi dhe drejtoria e sigurimit.
Lista përmban pjesërisht edhe numrat e punonjësve dhe adresat e emailit.
Në këtë material të përpunuar të hakerave zbulohen edhe 3 njësi speciale pranë shërbimit sekret, të quajtua njësia “ compass”, në shqip busulla, njësia “horizont” dhe njësia “ Huntër & Ghost ”, në shqip Gjahtar dhe fantazma.
Nga vetë SHISH nuk ka pasur edne një reagim mbi këtë sulm të hakerave ndërsa më herët “Homeland Justice” ka publikuar të dhënat personale të kreut të shërbimit sekret Helidon Bendo dhe bashkëshortes së tij.