Haki Abazi akuza të rënda ndaj Avdullah Hotit: Në karrierën time 20 vjeçare s’kam parë njeri si ai, servil dhe i paepur

Zëvendëskryeministri në detyrë, Haki Abazi ka drejtuar akuza ndaj anëtarit të LDK’së, Avdullah Hoti, dukje thënë se njeri si ai nuk ka takuar asnjëherë, teksa e ka quajtur servil që të trishton.

Përmes një shkrimi në rrjetin social Facebook, ai ka thënë se Hoti dhe Agim Veliu i kanë shefa Hashim Thaçin e Albin Kurtin.

“Hoti u tremb me largimin e Veliut, pasi si dukej ngeli pa vërtetuesin e fjalëve të tij para Isës dhe Thaçit. Po! Shefat e Hotit e të Veliut gjatë gjithë kohës kanë qenë Thaçi dhe Mustafa. Kjo është aresyeja pse Hotit, në rastin më të mirë, i duhen pesë – gjashtë orë për çdo përgjigjje, e në rastin më të keq, pa instruksionet e shefave, nuk përgjigjet fare, as për gjënë më të vogël. Fjalimi dje në kuvend ishte gënjeshter fund e krye”, tha ai.

Postimi i plotë:

Hapur e drejtë!

Kjo qeveri nuk ishte e as nuk është si ato të kaluarat. Ka ndryshuar gjithçka, u dëshmua si gjatë dhe pas procesit elektoral. Kjo qeveri ka një të veçantë mbi gjithë veçanësitë e tjera: Legjitimitetin e votës qytetare, si asnjëherë më parë në Kosovën e pasluftës. E gatshme për përgjegjësi e punë dhe asnjëherë për privilegj. Qeveria e udhëhequr nga Kurti, për herë të parë dhe në vetëm 50-ditë, largoi nga timoni i shtetit krimin dhe korrupsionin politik. Të mbetur duarthatë dhe të frikësuar për çfarë do të ndodhte pas dy – tre muajsh, apo edhe në vitin e parë, krimi siguroi vegëzën e tij brenda qeverisë, nëpërmjet – ish-homologut tim tashmë – zotëri Hoti.

Në karrierën time 20-vjeçare nëpër vende të ndryshme të botës nuk kam takuar njeri të këtillë. Mbështetës e përkrahës i Thaçit dhe servil si brisku, i paepur, që të trishton edhe në distancë. Përgjatë 50-ditëve të punës së kësaj qeverie, Hoti nuk ka dhënë asnjë kontribut, përpos tentimit të përditshëm për t’u përplasur me Minstrat e LVV dhe për të krjuar tension e shkatuar arsye për konflikt. Do ta kuptoja disi, nëse në nivelin praktik e pragmatik do të donte të bënte një diferencë të butë ndërmejt LVV-së dhe LDK-së për të ruajtur njëfarë identiteti, por e prisja ta bënte në kuadër të suksesit të përbashkët dhe jo përkufizimit të dështimit si qëllim.

Hoti u tremb me largimin e Veliut, pasi si dukej ngeli pa vërtetuesin e fjalëve të tij para Isës dhe Thaçit. Po! Shefat e Hotit e të Veliut gjatë gjithë kohës kanë qenë Thaçi dhe Mustafa. Kjo është aresyeja pse Hotit, në rastin më të mirë, i duhen pesë – gjashtë orë për çdo përgjigjje, e në rastin më të keq, pa instruksionet e shefave, nuk përgjigjet fare, as për gjënë më të vogël. Fjalimi dje në kuvend ishte gënjeshter fund e krye.

Dje rezultoi mëse qartë, se krimi dhe korrupsioni i frontit Thaçi – Mustafa -që vetë janë pjesë e tre kupolave te krimit politiko- financiar,- janë bërë bashkë kundër ndryshimit dhe kundër transformimit që duan qytetarët.

Dje u vërtetua që Mustafa është i nënshtruari i Thaçit, për shkak të historikut që zanafillën e ka që nga koha kur ka qenë ministër në qeverinë e Bukoshit. Periudhë e ndaljes së telefonave dhe financave për Presidentin Rugova, zhdukjen e të parave te fondit 3%, Dardania Bankën, dhe ende ka zëra për njohuritë që ka pasur edhe për vrasjen e Ahmet Krasniqit dhe shumë të tjera deri në përvjedhjen e marrjes së pushtetit me dredhi e tradhëti nga Fatmir Sejdiu.

Është një dosje e tërë për Mustafën, që tani po del se është më e vërtetë, sesa e vërteta që paskemi ditur dikur.

Për ata që thonë, se dje ishte profa e tani është ky që është – ndoshta me të drejtë – ama LDK-ja nuk është profa dhe gjithmonë flitet me të parin, ai që është, por duhet besuar se një ditë LDK-ja do të shpëtojë nga kthetrat e profës dhe kupolës së tij, dhe do të shkojë aty ku e kërkon vendi. Mirëpo, këtë gjë nuk mund ta bëjmë dot nga jashtë, këtë duhet ta bëjë vetë LDK-ja. Ndër të tjera, më vjen keq për batakun, ku ka rënë akademiku tjetër, ai ka pranuar që ka bërë gabimin kur ka përkrahur Isën në zgjedhjen e Thaçit President.

Dje u bë i ditur fakti se që nga dita e parë në qeveri është shquar tendenca e Mustafës, që nëpërmjet Veliut dhe Hotit po mundohej të mbronte veten dhe rrjetin e tij të kupolës së krimit politik e financiar.

Dje ishte e qartë, se paraja që vjen nga Unioni, Nënkalimi, Terranova, mafia e ndërtimit nëpër qytetet e Kosovës dhe kontratat e furnizimit me derivate, kontrollin e tregut për fake brands, lidhjet me terminalet doganore. Këto interesa për ata janë shumë më të rëndësishme sesa Kosova, qeveria, apo edhe pjesët e territorit të vendit tonë. Këta janë pjesa e kapjes dhe u frikësuan nga pamundësia e justifikimi të pasurisë dhe aksioneve nëpër kompani. Kur ja thash Hotit dhe shtrova pyetje për këtë gjë, lansoi një fushatë denigruese kundër meje në rrjetet sociale gjithë andej dhe ndërpreu komunikimin.

Dje përdoren edhe Listën Serbe për ta rrëzuar qeverinë në mes të betejës së COVID-19. Kjo është brengosja për qytetarët, kjo është forma për të kujtuar fillimin bombardimeve të NATOs kundër caqeve Serbe?

Kupolat po kalojnë një siklet të madh; Thaçit po i afrohen ditët, e Mustafës, po i dalin në shesh të bërat e të palarat që e kanë mbajtur peng Kosovën tash e 20-vite. Kjo nuk është LDK e Rugovës.

Ama nga dje e në vazhdim nuk do të ketë më kthim pas, dekonspirimi ndodhi. LDK e vërtetë u distancua nga qëllimi i kupolave. Të vërtetën e kuptuam të gjithë e duan nje Kryeministër që i thotë Po gjendjes së jashtezakonshme, që i thotë Po ndarjes dhe që sikur për liberalizimin e vizave, thonë që nuk ka qenë në dorën tonë- u mashtruam. Por e vërteta në fakt është që duan të vazhdojnë me kupolat e tyre në kurriz të qytetarëve.

Fotografia e 6 Tetorit nuk do harrohet dhe do të rikthehet edhe më fuqishëm. Bashkë.