Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj ka akuzuar Albin Kurtin për mashtrim të qytetarëve dhe partnerëve të koalicionit.
Haradinaj, në “Debat Plus” me Ermal Pandurin në RTV Dukagjini, ka thënë se AAK e ka dënuar Qeverinë Kurti për shkak të mënyrës se si e kanë larguar taksën.
Ai ka thënë LDK ka pasur arsyet e saja pse ka vendosur ta dërgojë Qeverinë në mocion mosbesimi, përcjell Telegrafi.
“Nëse Kurti do të mbronte taksën ashtu si kemi kërkuar ne përmes letrave publike, do të ishim me të ditën e mocionit”.
Haradinaj thotë se Kurti e largoi taksën dhe sipas tij qeveria pasuese nuk ka punë me taksën.
“Unë falënderoj LDK-në që nisi këtë mocion duke dënuar një kryeministër mashtrues. Kurti mashtroi qytetarët dhe partnerin e koalicionit”.
I pari i AAK-së thotë se asnjë argument nuk ka pasur që ai ta kursejë Kurtin nga rrëzimi.
Megjithatë, Haradinaj thotë se vetë Kurti e ka ditur se shkarkimi i Agim Veliut do ta rrëzonte vet qeverinë e tij.
Ish-kryeministri thotë se rrëzimi i Albin Kurtit është lajm i mirë për vendin dhe lajm i mirë për pacientët që janë të shtrirë në Klinikën Infektive.