Haradinaj: Sot është ditë e madhe në fushën energjetike dhe pavarësimin e plotë nga Serbia!

Gjatë ditë së sotme është votuar Marrëveshja e Re e Kyçjes ndërmjet KOSTT dhe ENTSO-E, KOSTT, ku Republika e Kosovës fiton pavarësinë energjetike.

Arritjen e kësaj marrëveshje e ka mirëpritur kreu i AAK-së, Ramush Haradinaj.

Haradinaj përmes një shkrimi në Facebook ka shkruar se për dy vite sa ishte kryeministër ka punuar që të arrihet kjo marrëveshje, transmeton Telegrafi.

“Sot është ditë e madhe në fushën energjetike dhe pavarësimin e plotë nga Serbia. Për dy vite, si Kryeministër i vendit kemi punuar ngushtë dhe kemi realizuar dhjetëra takime pune, larg publicitetit, me institucionet energjetike dhe partnerët strategjik, në veçanti ShBA-në dhe Gjermaninë, që të arrihet kjo ditë. Kosova ia doli”, ka shkruar Haradinaj.

Më tej ai ka thënë se “me zyrtarizimin e Marrëveshjes së re të Kyçjes në mes KOSTT – ENTSO-E, nga Grupi Regjional i Europës Kontinentale, i mundësohet Kosovës pavarësia energjetike nga Serbia dhe Operimi i pavarur si Zonë Rregulluese, brenda Bllokut Rregullues Kosovë-Shqipëri”.

“Dua të falënderoj përfaqësuesit e institucioneve tona, bashkëpunëtorët e mi në Kabinet, posaçërisht Ambasadorin e Gjermanisë në Kosovë Christian Heldt, Ambasadën e ShBA-së në Prishtinë, Bankën Gjermane per Zhvillim-KfW, USAID dhe gjithë akterët e tjerë që ishin pjesë e këtij rrugëtimi, që sot u shndërrua në storie të suksesit”, përfundon shkrimi i tij.