Në vitin 2021, studentja britanike, Alexia Lopez, bëri një zbulim befasues. Gjatë vëzhgimeve të kozmosit, ajo vuri re rastësisht një hark gjigant 9.3 miliardë vite dritë larg. Nëse do ta shihnim nga Toka, do të ishte sa madhësia e 35 hënave të plota të shfaqura në qiell.
Kjo strukturë vë në pikëpyetje disa nga teoritë bazë rreth Universit. Në kozmologji thuhet se materia duhet të shpërndahet afërsisht në mënyrë të barabartë në hapësirë. Kur shkencëtarët e shohin Universin në përmasa shumë të mëdha, nuk duhet të ketë parregullsi të dukshme, pra çdo gjë duhet të duket e njëjtë në çdo drejtim. Mirëpo kjo strukturë gjigante e të tjera të ngjashme, po i detyrojnë shkencëtarët të analizojnë sërish teorinë se si evoluoi Universi.
“Ka 0.0003 për qind probabilitet që një strukturë kaq e madhe të ketë lindur rastësisht, pra është thuajse e pamundur. Mund të jetë formuar nga ndonjë fenomen në Univers që ne aktualisht nuk e njohim.”
Alexia Lopez, zbuluesja e strukturës gjigante
Megjithatë, harku gjigant nuk është struktura e vetme e tillë e zbuluar nga astronomët. I ngjashëm është dhe “Muri i madh”, zbuluar në vitin 1989 nga Margaret Geller dhe John Huchra. Edhe më i madh është “Sloan”, një strukturë kozmike e formuar nga një mur gjigant galaktikash, zbuluar në vitin 2003 nga J Richard Gott III dhe Mario Juric.
Në dekadën e fundit, zbulimi i këtyre gjigantëve ka qenë edhe më i madh. Në vitin 2014, shkencëtarët zbuluan supergrupin Laniakea, një koleksion galaktikash në të cilat ndodhet Rruga jonë e Qumështit. Më pas, në vitin 2016 u zbulua muri i madh “BOSS”, që përbëhet nga 830 galaktika të veçanta. Në vitin 2020, në listë u shtua edhe “Muri i Polit të Jugut”. Por rekordin aktual për strukturën më të madhe, e mban muri i madh “Hercules-Corona Borealis”.
Nëse vërtetohet se ekzistojnë më shumë struktura të tilla të ngjashme, atëherë astronomët do të detyrohen të rishkruajnë modelin standard të kozmologjisë.