Albin Kurti, kryetar i Vetëvendosjes, para dhe pas fitores në zgjedhjet e 6 tetorit ka deklaruar se pos PDK-së në opozitë dëshiron ta çojë edhe Listën Serbe.
Kjo parti ka dalë sërish subjekti kryesor te komuniteti serb, dhe sipas njohësve të Kushtetutës nuk mund të nxirret jashtë lojës edhe tek krijimi qeverisë.
Lista Serbe deri tash ka marrë 52613 vota apo 6.64 për qind, pas numërimit të 99.25 për qind të votave.
Ish-kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Enver Hasani, ka thënë se Kurti nuk mund të vendosë për fatin e serbëve të Kosovës, të qytetarëve të saj të komunitetit pakicë. Sipas tij, Kushtetuta e Kosovës është e qartë në këtë aspekt dhe parashikon dy situata.
“E para është situata kur ministrat serbë propozohen nga përbërja e deputetëve të Kuvendit dhe në këtë rast kërkohet konsultimi me Listën Serbe si fituese e zgjedhjeve. Situata e dytë është kur ministrat që propozohen janë jashtë përbërjes së Kuvendit, dhe në këtë rast kërkohet vendim formal i Listës Serbe”, ka theksuar Hasani për Kohën Ditore. “Siç shihet, në Kushtetutë nuk ka asnjë mundësi që shumica të vendosë për fatin e pakicës. Kjo është cilësi themelore e demokracisë kushtetuese kosovare që quhet ‘demokraci konsociacionale’ dhe sanksionohet me nenin 96 pika 5 të Kushtetutës”.
Neni të cilit i referohet Hasani thotë: “Nëse caktohen kandidatë jashtë deputetëve të Kuvendit të Kosovës, për këta ministra e zëvendësministra kërkohet miratimi formal i shumicës së deputetëve të Kuvendit, të cilët u përkasin partive, koalicioneve, nismave qytetare dhe kandidatëve të pavarur, të cilët janë deklaruar se përfaqësojnë komunitetin në fjalë”.
Por në qeverisjet e kaluara ka ndodhur që ministrat e Listës Serbe të shkarkohen dhe të bëhet emërimi i të tjerëve pa miratimin formal të këtij subjekti. Sipas Hasanit, për shkarkim nuk kërkohet miratimi formal i komuniteteve dhe se ky është një proces politik që matet me kritere politike të balancës së forcave politike.
“Mirëpo sërish emërimin e ministrit të ri nga radha e serbëve të Kosovës duhet ta marrë nga Lista Serbe dhe nuk mund të emërojë askënd tjetër në emër të komunitetit serb që nuk ka miratimin e atyre partive apo koleksioneve serbe që kanë fituar votat e tyre mbi pesë për qind të votave serbe”, ka thënë ai.
Rezultatet preliminare e nxjerrin fituese Listën Serbe, në mesin e partive serbe, ndërkaq është forca e katërt politike në nivel vendi. Ky subjekt ka shënuar rritje krahasuar me zgjedhjet e kaluara të mbajtura në vitin 2017. Derisa atë vit subjekti që mbështetet nga Beogradi zyrtar kishte fituar rreth 35 mijë vota, tani ka marrë mbi 52 mijë vota.
Ndërkaq, SLS-ja e Slobodan Petroviqit ka fituar 1 mijë e 910 vota, Partia e Serbëve të Kosovës e udhëhequr nga Aleksandër Jabllanoviq ka fituar 789 vota, kurse Nenad Rashiq i Koalicionit “Liria” ka fituar 719 vota.