Hidhet gaz lotsjellës në koncertin e Bregoviç në Korçë

Hidhet gaz lotsjellës në koncertin e Goran Bregoviç në Korçë. Ishin disa të rinj të cilët gjatë performancës së këngëtarit serbo-boshnjak në qytetin juglindor për Festën e Birrës hodhën në turmë gazin, duke shkaktuar probleme me sytë dhe me frymëmarrjen për pjesëmarrësit në koncert.

Për ngjarjen policia ka shoqëruar 8 të rinj, ndërsa disa prej qytetarëve që u prekën nga gazi lotsjellës shprehën indinjatën ndaj policisë për masat e marra për koncertin.

Kujtojmë se ardhja e Bregoviç në Korçë u parapri nga debate të shumta, jo vetëm mes qytetarëve në rrjetet sociale, por edhe artistëve, të cilët anuluan praninë e tyre në këtë festë.

Ata kundërshtonin ardhjen e Bregoviç për shkak të qëndrimit të tij për masakrën në Kosovë, duke e akuzuar se ka frymëzuar paramilitarë serbë për masakrat që ndodhën.