Katër ditë pas publikimit të vendimit, përmes të cilit u konfirmua kushtetueshmëria e dekretit të presidentit Hashim Thaçi, Gjykata Kushtetuese ka publikuar aktgjykimin e plotë.
Por, për dallim nga vendimi i publikuar të enjten në orët e mbrëmjes, Kushtetuesja ka hequr një pjesë, raporton KOHA.
Në aktgjykimin e plotë të publikuar pasditen e së hënës, është hequr pjesa ku gjykata citon paragrafin e 4 të nenit 95:
“Në vlerësimin e Dekretit [nr. 24/2020] të 30 prillit 2020 të presidentit të Republikës së Kosovës, përmes të cilit ‘z. Avdullah Hoti i propozohet Kuvendit të Republikës së Kosovës kandidat për kryeministër për të formuar Qeverinë e Republikës së Kosovës’, Gjykata vendosi: (i) njëzëri që kërkesa e parashtrueseve të kërkesës është e pranueshme; (ii) njëzëri që Dekreti i kontestuar i presidentit është në përputhshmëri me paragrafin 2 të nenit 82 [shpërndarja e Kuvendit] të Kushtetutës, duke konstatuar rrjedhimisht që votimi i suksesshëm i një mocioni mosbesimi të Kuvendit ndaj Qeverisë, nuk rezulton në shpërndarjen e detyrueshme të Kuvendit dhe mundëson formimin e një Qeverie të re në pajtim me nenin 95 [Zgjedhja e Qeverisë] të Kushtetutës; (iii) me shumicë që Dekreti i kontestuar është në përputhshmëri me paragrafin (14) të nenit 84 [kompetencat e presidentit] të Kushtetutës në lidhje me paragrafin 4 të nenit 95 të Kushtetutës; (iv) njëzëri që të shfuqizohet masa e përkohshme e përcaktuar përmes Vendimit të 1 majit 2020; dhe (v) njëzëri që të refuzohet kërkesa për seancën dëgjimore”.
Sipas këtij paragrafi, ”Nëse përbërja e propozuar e Qeverisë nuk merr shumicën e votave të nevojshme, presidenti i Republikës së Kosovës, brenda dhjetë (10) ditësh emëron kandidatin tjetër sipas së njëjtës procedurë. Nëse as herën e dytë nuk zgjidhet Qeveria, atëherë presidenti i Kosovës i shpall zgjedhjet, të cilat duhet të mbahen jo më vonë se dyzet (40) ditë nga dita e shpalljes së tyre”.
Për dallim nga vendimi i së enjtes, në aktgjykimin e plotë nuk është përmendur kjo pjesë:
“Në vlerësimin e Dekretit [nr. 24/2020] të 30 prillit 2020 të presidentit të Republikës së Kosovës, përmes të cilit ‘Z. Avdullah Hoti i propozohet Kuvendit të Republikës së Kosovës kandidat për kryeministër për të formuar Qeverinë e Republikës së Kosovës’, Gjykata vendosi: (i) njëzëri që kërkesa e parashtrueseve të kërkesës është e pranueshme; (ii) njëzëri që Dekreti i kontestuar i presidentit është në përputhshmëri me paragrafin 2 të nenit 82 [Shpërndarja e Kuvendit] të Kushtetutës, duke konstatuar rrjedhimisht që votimi i suksesshëm i një mocioni mosbesimi të Kuvendit ndaj Qeverisë nuk rezulton në shpërndarjen e detyrueshme të Kuvendit dhe mundëson formimin e një Qeverie të re në pajtim me nenin 95 [Zgjedhja e Qeverisë] të Kushtetutës; (iii) Të shpallë me shumicë votash, që DEKRETI (nr. 24/2020) i 30 prillit 2020 i presidentit të Republikës së Kosovës, përmes të cilit ‘z. Avdullah Hoti i propozohet Kuvendit të Republikës së Kosovës kandidat për kryeministër për të formuar Qeverinë e Republikës së Kosovës’, është në përputhshmëri me paragrafin (14) të nenit 84 (kompetencat e presidentit) në lidhje me nenin 95 ) Zgjedhja e Qeverisë) të Kushtetutës së Republikës së Kosovës”.
Ndaj këtij ndryshimi në aktgjykimin e Kushtetueses kanë reaguar nga Lëvizja Vetëvendosje.
“Aktgjykimet e Gjykatës Kushtetuese e paskan mundësinë e “edit post”…kjo si nevojë në rrethanat kur bëhesh horë krejt, që thotë populli!”, ka shkruar në Facebook ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu.
Ndërkohë, zv/ministri i Integrimit Evropian, Taulant Kryeziu e ka quajtur vepër penale atë që ka ndodhur.
“Kjo është e pabesueshme, si ka mundësi të fshihet paragrafi 4 i nenit 95, të Kushtetutës. Kjo është e tmerrshme. Kjo është vepër penale.”, ka shkruar Kryeziu.
Publikimi i plotë i aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese i ka hapur rrugën votimit në Kuvend të Qeverisë së udhëhequr nga Avdullah Hoti.
Partia e Hotit këtë të martë pritet që të vendosë për përbërjen e re të ekzekutivit.