Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, përmes një shkrimi në llogarinë e tij në Facebook, ka treguar se qeveria e tij ka vazhduar me lehtësimin e masave.
Këtë vendim, Hoti tha se e mori në bazë të rekomandimeve të Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike dhe Komisionit Ekzekutiv, me qëllim të luftimit ndaj coronavirusit.
Me vendimin e ri hapet Aeroporti Ndërkombëtar i Prishtinës “Adem Jashari”, për vijat e rregullta të domosdoshme.
Tutje, Hoti tha se Ministria e Infrastrukturës obligohet që të kompletojë Udhëzimet Administrative të Agjensionit të Aviacionit. Në bazë të protokolleve te EASA.
Gjithashtu, Hoti bëri lutje që të vazhdohen masat obligative mbrojtëse: Vendosja e maskave, shmangja e prekjes së fytyrës, pastrimi dhe dezinfektimi i objekteve të prekshme dhe mbajtja e distancës fizike.
Vendimi hyn në fuqi me 28 qershor.
Më poshtë gjeni shkrimin e plotë të Hotit:
Të dashur qytetarë,
Krahas nevojës për riaktivizim të të gjithë sektorëve të ekonomisë, jetët e qytetarëve dhe shëndeti publik mbeten prioritet i Qeverisë së Republikës së Kosovës. Pakujdesia për të parandaluar përhapjen e virusit në ditët e fundit, ka vënë në rrezik jetët e shumë qytetarëve!
Në bazë të rekomandimeve të Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike dhe Komisionit Ekzekutiv për luftimin, monitorimin dhe reagimin ndaj #COVID19, sonte në mbledhjen e Qeverisë, kemi marrë vendim që të vazhdojmë me lehtësimin e masave!
Me vendimin e aprovuar sot nga kabineti qeveritar rifillon transporti ajror dhe hapet Aeroporti Ndërkombëtar i Prishtinës ”Adem Jashari” për vijat e rregullta të domosdoshme, me masa të shtuara të sigurisë, duke pasur prioritet shëndetin publik dhe parandalimin e përhapjes së COVID-19. Obligohet Ministria e Infrastrukturës që të kompletojnë Udhëzimet administrative të Agjensionit të Aviacionit, protokollet e operimeve të transportit ajror, bazuar në mënyrë strikte në protokollet e EASA (Agjencia për Siguri në Aviacion e Bashkimit Evropian), rekomandimet e IKSHPK-së dhe Manualin për mbrojtjen nga COVID-19.
Mirëpo, të gjithë udhëtarët që hyjnë në Republikën e Kosovës rekomandohen të kenë testin RT-PCR negativ, jo më të vjetër se 4 ditë. Vendimi hyn në fuqi nga data 28 qershor 2020.
Luteni që vazhdimisht t’i keni parasysh masat obligative për mbrojtje:
● Vendosni maska gjatë gjithë kohës në hapësira publike
● Shmangni prekjen e syve, hundës dhe gojës me duar të papastërta
● Pastroni dhe dezinfektoni shpesh objektet dhe sipërfaqet e prekura siç janë tavolinat, tastierat, telefonat, parmakët dhe rezat e dyerve
● Mbajeni distancën fizike