Rojet kufitare në Arabinë Saudite kanë qëlluar me mitralozë dhe kanë hedhur mortaja ndaj etiopianëve që përpiqeshin të kalonin në mbretërinë arabe nga Jemeni, duke vrarë me qindra emigrantë të paarmatosur gjatë viteve të fundit. Kjo u bë e ditur nga Human Rights Watch në një raport të publikuar të hënën.
Për këto përfundime grupi i të drejtave citon në raport dëshmitarë okularë të sulmeve nga forcat saudite, si dhe pamje që tregonin trupa të viktimave dhe varreza në rrugën që ndjekin imigrantët, duke thënë se numri i të vdekurve mund të jetë “ndoshta me mijëra”.
Kombet e Bashkuara e kanë ngritur çështjen me Arabinë Saudite në lidhje me trupat e saj që hapin zjarr ndaj imigrantëve në një model të përshkallëzuar sulmesh përgjatë kufirit të saj jugor me Jemenin e shkatërruar nga lufta.
Zyrtarët sauditë nuk iu përgjigjën kërkesave për koment nga agjencia e lajmeve Associated Press, por më parë kanë mohuar që trupat arabe të kenë vrarë imigrantë. Kryengritësit Houthi të Jemenit, të cilët dyshohet se fitojnë dhjetëra mijëra dollarë në javë duke trafikuar imigrantë përmes kufirit, gjithashtu nuk iu përgjigjën kërkesave për koment.
Rreth 750,000 etiopianë jetojnë në Arabinë Saudite, me rreth 450,000 që ka të ngjarë të kenë hyrë në mbretëri në rrugë të paligjshme, sipas statistikave të vitit 2022 të Organizata Ndërkombëtare për Migracionin. Lufta qytetare dyvjeçare në rajonin verior Tigray të Etiopisë çoi në zhvendosjen e dhjetëra mijëra njerëzve.
Arabia Saudite, e cila përballet me papunësinë e të rinjve, ka kthyer prapa mijëra veta në Etiopi në bashkëpunim me Adis Abebën.
Human Rights Watch tha se foli me 38 imigrantë etiopianë dhe katër të afërm të atyre që u përpoqën të kalonin kufirin midis marsit të vitit 2022 dhe qershorit të vitit 2023, të cilët thanë se kishin parë rojat saudite të qëllonin mbi imigrantët ose të hidhnin mjete shpërthyese mbi grupet e të ikurve.
Një pamje satelitore e 27 prillit nga “Planet Labs PBC” e analizuar nga agjencia Associated Press, tregoi të njëjtat struktura tendash të identifikuara nga grupi i të drejtave të njeriut pranë al-Raqë në Jemen, në kufirin saudit. Dy ngrehina penguese mund të shiheshin pikërisht në atë zonë përtej kufirit në Arabinë Saudite.
Kryengritësit Huthit kontrollojnë kryeqytetin e Jemenit, Sanaa, që nga shtatori i vitit 2014. Një koalicion i udhëhequr nga Arabia Saudite ka luftuar me kryengritësit Houthi që nga marsi i vitit 2015.
Emigrantët nga Etiopia e kanë gjetur veten të arrestuar, abuzuar dhe madje të vrarë në Arabinë Saudite dhe Jemen gjatë luftës. Por, në muajt e fundit ka pasur shqetësim në rritje nga trupi i OKB-së për të drejtat e njeriut se forcat saudite po sulmojnë imigrantët që vijnë nga Jemeni.
Në një letër të dërguar nga misioni i Arabisë Saudite në OKB në Gjenevë në muajin mars thuhej se ajo “kundërshton kategorikisht” pretendimet se mbretëria kryen ndonjë vrasje “sistematike” në kufi. Megjithatë, ajo tha gjithashtu se OKB-ja dha “informacion të kufizuar” kështu që nuk mund të “konfirmonte ose mbështeste pretendimet”.