Sipas regjisorit Fadil Hysaj, në rrjetet sociale sot është krijuar një frymë e frikshme e shprehjes së lirë për të cilën ai ka thënë se është “më e rrezikshme se periudhat staliniste” kur guximi për të folur ndëshkohej më pasoja të rënda.
Hysaj është shprehur se sot njerëzit më intelektualë zgjedhin të heshtin para një publiku të gjerë virtual, edhe pse siç ka thënë ai, janë njerëzit që e kuptojnë realitetin më së miri e janë më të informuar.
“Në rrjetet sociale është krijuar një krim që është shumë më e rrezikshme se periudhat staliniste kur guximi me thënë një mendim i ka pasë të definuara pasojat nëse e ke thënë një mendim kundër pushtetit të atëhershëm. Në raste të tilla nëse mendimi personal nuk është i përafërt me atë masë ushtrish virtuale vërshojnë me komente që shumica janë denigruese, nuk thonë asgjë, dhe krijojnë një lloj turbullimi, ambient që pos zhurmës mendimi nuk ka guxim të vjen në pah”, ka thënë ai në “Konfront”.
Hysaj ka shtuar se ekziston një hierarki ku dihet kush për çka flet, e ka theksuar se në shoqëri sulmohen ata që thonë diçka ndryshe ndërsa triumfon ai që e ka fuqinë mediatike.
“Duhet dialog, nuk mund të flasësh me 1000 njerëz që nuk i njeh e ata të njohin. Ti nuk ke mundësi ta thuash mendimin tënd për ata njerëz dhe dorëzohesh. Fuqinë mediatike apo fuqinë për ta kontrolluar opinionin publik janë ata që e kanë armatën më të fuqishme virtuale. Këtu prej një shoqërie të tramautiuzar, të shkapërderdhur, prej 1912-s janë breza që kanë luftuar për të mbetur gjallë deri kur ka ardhur liria e më pas ka ardhur diçka e re kur njerëzit kanë menduar se mund të thënë apo bëjnë diçka për interesa të tyre dhe nuk është kuptuar cili është interesi kombëtar e shtetëror. Ende sot nuk kuptohet cili është interesi shtetëror i Kosovës”, është shprehur ai.
Sipas Hysajt, politika në vend i ka shfrytëzuar mediat online dhe njerëzit që kanë fuqi mediatike.
“E kemi një terren që është shfrytëzuar jashtëzakonisht mirë nga të gjithë ata që kanë dashur ta paraqesin Kosovën si shtet jofunksional, të dështuar, jo si shtet laik por që shpejt mund të rrëshqasë në shtet fetar”.
“Mendoj që nuk ka pasur lëmi që nuk kanë hyrë njerëz të etur për t’u bërë milionerë”, ka shtuar ai më tej.
Ka thënë se në Kosovë është manipuluar për ta shtrembëruar të vërtetën e saj dhe se nuk është vonë për mediat që të mos merren me klikime, por me përgjegjshmëri dhe interes kombëtar.
“Kosova po e merr një fizionomi që e dëshirojnë armiqtë e saj dhe po ecë drejt një imazhi çfarë nuk e kanë dashtë aleatët e saj dhe shumica e Kosovës. Manipulohet me këtë shumicë sepse kjo shumicë nuk është ajo që flet, ajo që bënë zhurmë, duket që është pakicë. Shumica e Kosovës është me orientime perëndimore, nuk është me kultura orientale”.
Për Hysajn, e rrezikshme për vendin është kur në Kosovë krijohet një shtresë e të rinjve me koncepte armiqësore ndaj Perëndimit, e miqësore ndaj botës euro-aziatike.
“Po ndodh ajo më qe keqja.. më e pakta është ajo që Kosova mund të humb aleatët për shkaqe politike. Sepse politika janë gjithmonë ato që mund të ndërrojnë. Por, në të njëjtën kohë po punohet të financohet që të krijohet një realitet tjetër që pastaj është i pashlyeshëm. Kur të krijohet një shtresë të rinjsh që konceptet e tyre mund të mos jenë miqësore ndaj Perëndimit dhe shumë miqësore ndaj botës euro-aziatike vijmë te situata të rrezikshme për veten”, ka përfunduar ai.